Shqiptarët, në “trend” për të mësymur drejt La Ligas spanjolle

Sport

E ardhmja e Elseid Hysajt duket gjithmonë e më larg Napolit, pasi shkodrani nuk ka ndërmend të pranojë rinovimin e kontratës. Prandaj pritet të largohet nga Napoli për një tjetër aventurë. Mbrojtësi i Kombëtares ka disa oferta, të cilat mund të ketë nisur t’i vlerësojë. Një opsion është La Liga spanjolle. Në fakt që gjatë verës së kaluar u duk se Hysaj ishte mjaft pranë Valencias. Por si përfundim, ishte kërkesa e lartë e bërë nga Napoli që hodhi në erë këtë lëvizje. Megjithatë, tani për 26-vjecarin ka dalë në horizont një tjetër opsion, për të luajtur në elitën e futbollit spanjoll. Kështu, sipas mediave iberike, mundësinë e afrimit të anësorit të Kombëtares shqiptare po e vlerëson klubi i Sevijas.
Skuadra që drejtohet nga Lopetegui, si drejtor sportiv ka Monçin, një njohje të vjetër të Serisë A, ku ai ka qenë pjesë e Romës dhe natyrisht që i është dhënë shansi ta ndjekë nga afër Hysajn. Kështu, me siguri që i njeh mirë cilësitë e shkodranit dhe se cfarë mund t’i japë skuadrës së Sevijas. Gjithsesi, deri tani duket se mes klubeve nuk ka pasur një kontakt konkret. E sigurtë është që Napoli për kartonin e Hysajt (në rast se nuk do të donte ta humbasë me parametër zero) do të kërkojë rreth 15 milionë euro.
Ndërkohë, një shteg spanjoll flitet se është hapur edhe për Marash Kumbullën. Mbrojtësi 20-vjecar, që ka spikatur me Veronën, përveç klubeve të mëdha italiane, tashmë po e shton listën e klubeve nëpër Evropë që duan shërbimet e tij. Së fundi, mediat spanjolle kanë shkruar deri edhe për një interesim të Real Madridit në adresë të Kumbullës. Megjithëse sipas të mirënjohurës “Don Balon”, Los Blancos nuk janë të vetmit, përderisa edhe Barcelona është e interesuar për talentin e ri shqiptar. Ndërsa gjithashtu edhe Pep Guardiola, i cili duket se do të dëshironte ta afronte në radhët e Mançester Sitit.
“Shpërthimi i tij në futbollin italian ka qenë meteorik, deri në pikën ku një sezon i vetëm mund t’i shërbejë për t’u blerë nga më të mëdhenjtë. Guardiola ka pranuar shpesh se i duket një mbrojtës i shkëlqyer, edhe pse në javët e fundit e ardhmja e lojtarit shqiptar është shumë më pranë Madridit sesa Mançesterit. Ky operacion do t’i kushtonte Realit rreth 20 milionë euro”, thuhet në artikullin e shkruar në “Don Balon”, sa i takon një lëvizjeje të mundshme të Kumbullës drejt La Ligas spanjolle.