Shqiptarët në Serinë A, ja si shkoi fundjava

Sport

Vetëm me një barazim ka dalë Thomas Strakosha dhe Lacio e tij, nga derbi i shumëpritur me Romën, që u zhvillua këtë javë në Serinë A italiane. Portieri i kombëtares kuqezi u aktivizua si gjithmonë titullar mes shtyllave të skuadrës bardhekaltër, në një ndeshje që mbi të gjitha u dallua për rekordin e shtyllave të goditura: plot 6 në total, 4 prej të cilave për Lacion. Gjithsesi si përfundim, Strakosha ka qenë gjithmonë i vëmendshëm para rreziqeve që i kanë ardhur nga sulmuesit e Romës, duke rezultuar një faktor kryesor në barazimin e marrë.


Fitorja e parë në Serinë A ka ardhur për Veronën e dyshes Kumbulla-Rrahmani, që tashmë është shndëruar titullare në mbrojtje. Dy lojtarët shqiptarë kanë qenë një nga pikat e forta në suksesin e rrëmbyer 1-0 në transfertë me Leçen. Kumbulla u zëvendësua në minutën e 78-të, ndërsa Rrahmani luajti deri në fund të ndeshjes, duke qenë i vëmendshëm në mbrojtje por edhe i rrezikshëm përpara portës kundërshtare.

Nuk ka shkuar pozitivisht fundjava për Berat Gjimshitin, Atalanta e të cilit u përmbys 2-3 brenda në shtëpi nga Torino. Mbrojtësi i shndërruar në pikë fikse në prapavijën atalantine nuk arriti dot bëjë dot asgjë për të shmangur humbjen në këtë javë të dytë, ku bëri një tjetër paraqitje deridiku mirë. Megjithëse për një moment u duk se me një Zapata të papërmbajtshëm, bergamaskët do të merrnin me lehtësi një fitore të radhës, si përfundim, rezultati ka folur për miqtë.