U ul në fundjavë sipari i Serisë A për sezonin 2017-2018, teksa verdiktet e shumta që u dhanë në 90 minutat e fundit prekën edhe futbollistët shqiptarë. Kështu, Napoli, ku luan Elseid Hysaj, festoi me një fitore 2-1 ndaj Krotones, kualifikimin direkt në grupet e Champions League, ndonëse nga ana tjetër i shkaktoi rënien në Serinë B skuadrës së mbrojtësit tjetër shqiptar, Arlind Ajetit. Mbetet të shihet nëse Hysaj do të përballojë sërish kompeticion më prestigjoz evropian me fanelën e të kaltërve. Gjithsesi për momentin mund të thuhet se ai është i vetmi lojtar kuqezi që kualifikohet direkt në grupe.
Një tjetër shqiptar që kishte mundësinë të priste biletën për në kompeticionin e kampionëve ishte edhe Strakosha, por për fat të keq, portieri dhe Lacio e tij e humbën shansin, pasi u mundën 2-3 brenda në shtëpi nga Interi, që kështu i rrëmbeu vendin e katërt. Gardiani 23-vjeçar ka marrë vlerësime jo të mira, për paraqitjen e bërë. Mirëpo, vëllai i tij përmes një postimi në Instagram, ka zbuluar se Strakosha luajti me injeksione për shkak të dhembjeve që ka ndjerë ditët e fundit, duke sakrifikuar me synimin për të qenë patjetër në fushë. Kështu, në sezonin e ardhshëm Lacio duhet të kënaqet me Europa League. Por nëse Strakosha do të luajë në grupe, portieri tjetër i Kombëtares, Etrit Berisha do të kalojë më parë nga një fazë “play-off”-i. Atalanta e tij e fitoi këtë të drejtë, pavarësisht humbjes 1-0 që pësoi kundër Kaljarit.