Sikur të mos mjaftonte humbja dëshpëruese e pësuar të shtunën në “Stade de France”, situata në kampin kuqezi nuk duket fort e kthjellët edhe përpara sfidës së të martës që Shqipëria do të luajë të martën përballë Islandës. Edi Reja duhet të gjejë formulën e duhur për të rigjeneruar ekipin përfaqësues brenda pak ditëve, veçanërisht për një ndeshje që cilësohet si më vendimtare, për të mbajtur së paku gjallë shpresat e vogla që kanë mbetur për kualifikimin e ëndërruar në Europian. Mirëpo ja që një faktor i rëndësishëm jashtë fushës mund të rezultojë jo pak shqetësues për kuqezinjtë, të cilëve rrezikon t’u mungojë edhe i ashtuquajturi “Lojtar i 12-të”. Sipas të dhënave të deritanishme, interesi kundrejt ekipit kombëtar ka rënë ndjeshëm përsa i takon ndeshjes përballë islandezëve. Natyrisht që rezultatet jo fort bindese kanë bërë të vetën. Prandaj pritet një numër i vogël mbështetësish në impiantin “Elbasan Arena”, që konsiderohet jo i madh sa i takon kapacitetit.
Mirëpo as Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka ndërmarrë ndonjë fushatë me synimin për të afruar tifozët. Në situtatën ku gjendemi dhe duke parë kundërshtarin, çmimet e biletave janë të pafavorshme në objektivin për të mbushr sadopak stadiumin. Në tribunat përballë çmimi shkon në 15 mijë lekë të vjetra, ndërsa nëpër anësore janë nga 10 e 5 mijë lekë. Ndërsa tribunat kryesore janë mbi 100 mijë lekë, duke i bërë të papranueshme për njerëzit e thjeshtë, por vetëm për biznesmenët dhe VIP-at.