Reagim më të mirë nuk mund të kishte pas asaj paraqitjeje për t’u harruar ndaj Francës. Kombëtarja shqiptare rrëmbeu një fitore të rëndësishme 4-2 ndaj Islandës, në sfidën e luajtur në “Elbasan Arena” dhe që ishte e vlefshme për eleminatoret e Euro 2020. Një sukses që padyshim do të hyjë në histori, pasi kurrë më parë kombëtarja shqiptare nuk kishte arritur të fitonte një ndeshje zyrtare, kualifikuese europiani apo botërori, duke shënuar 4 gola. Pas humbjes ndaj Francës, skuadra e drejtuar nga Reja realizoi kthesën e shumëpritur, pavarësisht se vinte me plot 6 ndryshime krahsuar me transfertën e së shtunës. Në fushë shfaqir tepër grintë, por në disa raste edhe spektakël. Siç ishte momenti i golit të dytë, kur Elseid Hysaj, i cili mbante shiritin e kapitenit në këtë ndeshje, shënoi golin e parë të karrierës me fanelën kuqezi.
Për të mos folur pastaj edhe për golat e tjerë, mes të cilëve ai i Roshit, që i hapi rrugën suksesit me fierakun që në këtë mënyrë iu përgjigj edhe kritikave të marra disa ditë më parë. “Qershia mbi tortë” ishte goli i Cikalleshit, si shpërblim për atë që kishte bërë gjatë të gjithë ndeshjes, bashkë me Manajn në repartin sulmues. Gjithsesi ishte i gjithë grupi i lojtarëve që bëri diferencën kundrej islandezëve. E tashmë, me këtë fitore, Shqipëria shkon në kuotën e 9 pikëve, 3 më pak sesa Islanda e vendit të tretë. Kurse Franca dhe Turqia kryesojnë me nga 15 pikë. Kjo fitore rindez shpresat e kuqezinjve për në Evropian. Megjithëse tashmë duhet fituar transferta e 11 tetorit me Turqinë, për të hyrë plotësisht në garë.