Shqipëria konfirmoi “sëmundjen” edhe me Andorrën

Sport

Përsëri Kombëtarja shqiptare ra në kurthin e përballjeve me skuadrat më të dobëta se vetja. Ndodhi sërish edhe Andorran, që ia doli të barazojë 2-2 në “Elbasan Arena”, duke u kthyer në shtëpi me një pikë. Shqipëria ka zhgënjyer sërish, duke u dhënë mundësinë miqëve të festojnë barazimin, si të ishte një fitore, edhe sepse përfaqësuesja e vogël nga Pirenejtë shënoi për herë të parë 2 gola në transfertë.
Nisja e ndeshjes me golin e Balajt të shënuar me kokë, dha përshtypjen se gjithcka do të ishte e lehtë për kuqezinjtë e Rejas, por krejt papritmas, gjërat morën tjetër rrjedhë, aq sa përveçse barazuan, miqtë nga Andorra edhe e panë vetën në avantazh sapo filloi pjesa e dytë, po me të njëjtin lojtar, Cristian Martinez, i shndërruar në një rrezik të papritur për Gjimshtin me shokë.

Por Rey Manaj ia doli të ekuilibronte situatën brenda 7 minutave, duke i dhënë kështu start edhe mësymjes së kuqezinjve për të gjetur goditjen fituese të ndeshjes. Por pavarësisht se rastet nuk munguan, Andorra u bë pengesë e fortë për Kombëtaren shqiptare, që kështu humbi një shans të artë për t’iu afruar vendit të 3-të, që në këto kushte bëhet gati i pamundur. Krejtësisht i pakënaqur është shfaqur edhe Reja në fund të takimit, duke vendosur theksin te fakti që skuadra ishte “e qullët dhe e lexueshme”, por për këtë nuk kishte një shpjegim. Gjithsesi ka pranuar “sëmundjen” që ka Shqipëria përballë ekipeve të dobëta, gjë që u konfirmua ndaj Andorrës.