Shqipëria ka ende shpresa për Euro 2020

Sport

Shqipëria ia ka dalë të marrë fitoren e parë të “Epokës Reja”, me rezultatin e pastër 2-0 përballë Moldavisë, pas një loje të dominuar plotësisht nga kuqezinjtë, në sfidën e vlefshme për eleminatoret e Euro 2020. Nën një atmosferë të vaktë në shkallët e stadiumit, Mavraj me shokë e kanë kërkuar vazhdimisht golin që në pjesën e parë, duke iu afruar shumë, por pa arritur ta gjejnë. Mirëpo në të dytën, ndërrimet e bëra nga tekniku italian kanë sjellë efekt. Cikalleshi i hyrë në vend të Sadikut, arriti të shënojë golin e avantazhit pas një topi të dhënë nga zëvendësesi i Lenjanit, Roshi, i cili depërtoi bukur në zonë.

Më pas kuqezinjtë u munduan të administrojnë, ndërsa Ramadani në minutat shtesë vulosi suksesin, përmes një goli të bukur pas gjuajtjes së fuqishme në hyrje të zonës. Kjo fitore, dhe sidomos ajo që Islanda ka arritur të marrë ndaj Turqisë në shtëpi, mban të hapur situatën në grupin H të kualifikueseve të Evropianit, me Francën, Islandën dhe Turqinë që kanë nga 9 pikë secila, kurse Shqipëria llogarit 6 pas 4 ndeshjeve të luajtura. Sfida e radhës për kuqezinjtë është ajo e 7 shtatorit ndaj Francës në transfertë.