Shqipëria, epoka Panucci nis me përjashtimin e Sokol Çikalleshit

Sport

pinain

Ka nisur të hënën grumbullimi i parë i epokës Panucci për kombëtaren Shqiptare. Kuqezinjtë kanë përpara dy sfida të vlefshme për eliminatoret e Botërorit Rusi 2018-të. Si fillim më 2 shtator kundër Lihteshtenjit në Elbasan Arena dhe tre ditë më pas në stadiumin Mladost të Strumicës kundër Maqedonisë. Befasisht, në një konferencë për shtyp, Panucci njoftoi përjashtimin nga grupi të Sokol Çikalleshit. 27-vjecari ishte përfshirë në listën e 24 të grumbulluarve që Federata bëri publike të premten. Por italiani deklaroi se e kishte përjashtuar sulmuesin për shkelje të rregullores. “Më ka njoftuar se për shkak të çështjeve të tij kontraktuale nuk mund të vinte dot në grumbullim” – tha Panucci i cili tregoi menjëherë karakterin e tij të ashpër duke theksuar se “me këtë neglizhencë 27-vjecari bën mirë të qëndrojë në shtëpi”. Pa sulmuesin e Basaksehirit, Shqipëria e Panuccit do të luajë përpara me Latifin, Lullakun dhe Memushajn. Listës së 44-vjecarit nga Savona i mungojnë emra të njohur si Kaçe, Aliji apo dhe Taulant Xhaka. Për Xhakën, Panucci sqaroi se kishte pranuar ndjesën e 26-vjecarit pas cështjes që u përhap se ai nuk kishte pranuar ta takonte në Basel. 44-vjecari tha se e kishte lënë jashtë grupit për arsye teknike, ndërsa theksoi se “porta e kombëtares” është e hapur për të gjithë. Shqipëria ka 3 fitore në 6 ndeshje të luajtura dhe ndodhet e treta në Grupin G me 9 pikë. Dy sfidat e radhës janë të rëndësishme pasi i shtojnë mundësitë Shqipërisë për të qenë në një vazo më të mirë në shortin për kualifikueset e Evropianit 2020.