Shqipëria e Kosova ngjiten në FIFA, kreu për herë të parë çift

Sport

alb fifa
Dy sfidat e para zyrtare të Ligës së Kombeve që u luajtën gjatë muajit shtator ngjallën shumë diskutim mbi idetë konfuze të trajnerit Panucci në lidhje me Kombëtaren shqiptare. Aq sa u kërkua deri largimi i ish-mbrojtësit italian nga drejtimi i kuqezinjve. Megjithatë duket se e gjithë kjo valë negative, tashmë pasohet edhe me dicka pozitive, pasi Shqipëria ka ngjitur një shkallë në renditjen e publikuar të enjten nga FIFA. Nga 58-ta, që ishte muajin e kaluar, tashmë gjendet në vendin e 57-të. Padyshim, një pasojë e fitores ndaj Izraelit. Ndërsa duket se nuk ka ndikuar aq shumë humbja dhe paraqitja zhgënjyese e bërë në transfertën skoceze.

auto Foto 0021490092518
Sa i përket Kosovës, ajo vazhdon të bëjë hapa edhe më galopante në renditjen botërore, teksa nga vendi i 141-të i muajit gusht, tani mban pozicionin e 138-të në klasikim. Ky është një rekord i ri për përfaqësuesen kosovare, që muajt e fundit ka pasur një ecuri shumë më të mirë sesa ajo kuqezi.
Ndërkohë, për herë të parë në historinë 25-vjecare të FIFA-s, renditja e Kombëtareve të futbollit në mbarë rruzullin kryesohet nga dy skuadra. Qendron në vend Franca, të cilës i është bashkuar Belgjika, e vetmja nga përfaqësueset e kreut që ka ngjitur një vend. Si francezët, ashtu edhe belgët janë në kuotën e 1729 pikëve. Ndryshimi tjetër në dhjetëshen e parë është ngjitja e Spanjës në pozicionin e nëntë, me Danimarkën që ka zbritur një shkallë më poshtë.