Shqipëria e Bushit shkatërrohet nga “Gjelat” e vegjël

Sport

Në pritje të ndeshjes së të shtunës midis Kombëtareve të mëdha, Franca dhe Shqipëria janë ndeshur të enjten për një miqësore, në rang përfaqësuesesh U-21. “Gjelat” kanë shpartalluar kuqezinjtë e Alban Bushit përmes një pokeri golash. Ky takim shfaqi menjëherë një Francë totalisht dominuese, teksa që në fillim kërkoi patjetër golin e zhbllokimit të rezultatit, që erdhi vetëm në minutën 43-të, pas një penalltie të shkaktuar nga Shehu. Prej 11-metrave, Guiri nuk gaboi përballë portierit kuqezi, Selmani.
Kuqezinjtë nuk kanë mundur të dalin në lojën e tyre në asnjë moment. Por fatale kanë rezultuar 10 minutat e fundit të pjesës së dytë. Pas shumë ndërrimeve të teknikut Alban Bushi, francezët shënuan golin e dytë në minutën e 79′, kur Eduardo përfitoi nga një ngatërresë e Mersinajt në zonë. Franca gjeti përsëri rrugën e rrjetës edhe një herë tjetër përmes Eduardos, në minutën e 89-të. Kurse rrumbullakosja e shifrave 4-0 u realizua në minutën e parë të shtesës, nga Zagadu, i cili shënoi me kokë pas një goditjeje dënimi të vendasve francezë.


Fatmirësisht ishte vetëm një miqësore, për të provuar lojtarët e për të fituar eksperiencë përballë skuadrave të mëdha. Por sigurisht të Shqipëria U-21 e Alban Bushit do të jetë mirë të harrojë gjithçka që ndodhi mbrëmjen e së enjtes në Francë!