“Shqetësohet” Real Madrid, dëmtohet Karim Benzema

Sport

Pavarësisht fitores së parë të arritur në ndeshjen hapëse të Champions League ndaj Celtic me rezultatin 3-0, në radhët e Real Madrid kanë arsye të shqetësohen, madje serioze. Fjala është për Karim Benzema.

Në minutën e 30-të të ndeshjes, sulmuesi u zëvendësua nga Carlo Ançelotti si pasojë e një shqetësimi në gju, duke aktivizuar në vend të tij belgun Eden Hazard.

Në lidhje me këtë çështje, Real Madrid nuk ka dhënë sqarime të detajuara, por vetëm ka njoftuar se Benzema ka shqetësime në gjurin e djathtë. Klubi madrilen është treguar shumë I rezervuar në këtë aspect.

Madje, as mediat spanjolle nuk kanë mundur të zbulojnë dot diçka më tepër rreth dëmtimit të futbollistit në fjalë. Marca ka shtuar se stafi mjekësor nuk ka preferuar të flasë përpara kohe, por do presë rezultatet e testit për të dhënë një përgjigje përfundimtare.

Në këto rrethana, shkalla e dëmtimit të Benzema do mësohet në një të ardhme shumë të afërt. Megjithatë, në kampin madrilen ka optimizëm se asgjë nuk është serioze dhe së shpejti lojtari pritet të bashkohet me pjesën tjetër të skuadrës.

Benzema është sulmuesi I vetëm I mirëfilltë I Real Madrid, dhe një mungesë e gjatë nga ky dëmtim, për trajnerin Carlo Ançelotti përkthehet në dhimbje koke.

Sakaq, gjatë ndeshjes me Celtic, në pushimin mes pjesëve, Ançelotti kreu edhe një tjetër zëvendësim, duke nxjerrë nga loja mbrojtësin Eder Militao dhe në vend të tij aktivizoi gjermanin Rudiger.

Sikurse e ka konfirmuar edhe vetë takticieni italian pas përfundimit të takimit, Militano nuk ndihej komod nga ana fizike dhe ndërrimi është kryer për arsye sigurie. Në radhët e Los Blancos i tremben një tërheqjeje muskulore në kofshë. Megjithatë, lojtari do t’I nënshtrohet testeve për të zbuluar më tepër detaje të tjera.