Shqetësime për Real Madrid. Afrimi me bujë i merkatos së verës, Arda Guler, ka dëmtuar meniskun e gjurit të djathtë. Si pasojë, sikurse ka bërë të ditur klubi në kanalin zyrtar, lojtari në fjalë është larguar nga faza përgatitore e skuadrës që po zhvillohet në SHBA dhe është rikthyer në Madrid për të kryer ekzaminime më të detajuara.
Si fillim, lojtari tregoi shqetësime në stërvitje dhe një gjë e tillë u konsiderua si një problem i lehtë muskulor, çka e mbajti atë jashtë ndeshjes miqësore me Manchester United. Lojtari zbriti sërish në stërvitje, por nuk mundi të ishte gati për klasiken me Barcelonën.
Nga të tjera kontrolle, stafi mjekësor zbuloi, se Guler vuan nga një problem në meniskun e gjurit të djathtë dhe një gjë e tillë ka shkaktuar pasiguri në kampin madrilen, mos ndoshta, problemi i turkut mund të jetë i një shkalle të rëndë, çka mund ta detyrojë atë të mbetet për shumë kohë jashtë fushës së lojës.
Sikurse shkruajnë mediat në Spanjë, Real Madrid po mendon që Guler të mos i nënshtrohet operacionit, për të provojë një rikuperim natyral me terapi të veçantë, teksa situata do të mbetet në monitorim.
Koha e rikthimit të 18 vjeçarit në dispozicion të trajnerit Carlo Ançelotti ende nuk mund të thuhet me siguri. Real Madrid nuk dëshiron të nxitohet në këtë aspekt dhe gjithçka do të varet nga vetë reagimi që do të ketë futbollisti.
Arda Guler u bë pjesë e Real Madrid vetëm pak javë më parë, me klubin Los Blancos që pagoi 20 milionë euro në arkat e Fenerbahçes.