Pauza e kombëtareve ka sjellë lajme të pakëndshme për Interin. Në ndeshjen kualifikuese të Euro 2024, mes Turqisë dhe Kroacisë, është dëmtuar Hakan Çalhanoglu. Mesfushori ka pësuar tërheqje muskulore në kofshë dhe situata duket shqetësuese.
Nga raportimet e para, pritet të mungojë në ndeshjen e radhës ndaj Fiorentinës në Serie A në 1 Prill. Më pas gjysmëfinalja e Kupës së Italisë ndaj Juventusit është gjithashtu në dyshim.
Përtej kësaj, Hakan, mund të mos jetë gati as për ndeshjen e parë çerekfinale ndaj Benficas në çerekfinale të UEFA Champions League, megjithëse për transfertën e Lisbonës ekziston një shpresë së 29 vjeçari mund të jetë gati. Sidoqoftë, deri më tani, këto janë vetëm raportimet e para, pasi nuk mund të thuhet me saktësi koha e mungesës së Çalhanoglu.
Mungesa e turkut konsiderohet një shqetësim më vete për trajnerin Simone Inzaghi, skuadra e të cilit, për të shpëtuar sezonin, duhet të japë maksimumin në të gjitha frontet. Në kampionat, duhet siguruar sa më parë kualifikimi në Champions League për edicionin e ardhshëm.
Po ashtu, kupa, është një kompeticion i rëndësishëm, për të mos e mbyllur sezonin pa trofe, ndërsa Champions League është një tjetër mission që Interi kërkon të shkojë sa më larg.
Ndërkohë, gjatë pauzës së kombëtareve, Interi ka fituar një sulmues. Ai është Romelu Lukaku, i cili me Belgjikën ka tjetër melodi. Në dy ndeshje të luajtura me përfaqësuesen e tij, shtatlarti i prapavijës ka arritur të shënojë 4 gola. Në një panoramë si kjo, në radhët e Interit, shpresojnë që forma e Lukakut të vazhdojë kështu deri në fund të sezonit.