Një shuplakë e fortë ishte ajo që mori Kombëtarja shqiptare, në të ashtuquajturën “vllazërore” kundër Kosovës. Shifrat 3-0 në favor të skuadrës kosovare flasin qartë, teksa trajneri zviceran Shaland tregoi se po hedh bazat për një të ardhme të ndritur. Kurse skuadra e Panuccit është ende kantier i hapur. Paraqitja e kuqezinjve la vërtet për të dëshiruar. Kjo, përveç kritikave të shumta nga specialistë dhe tifozë, solli edhe një minus të madh për lojtarët kuqezi, që zbritën në fushë përballë Kosovës, duke zhgënjyer me lojën e tyre. Veçanërisht janë elementët, të cilët duhet të gjejnë skuadër gjatë verës, apo që janë në qendër të lajmeve të merkatos, ato që mund të thuhet se kanë humbur kuota. Duke nisur nga mbrojtja, ku Veseli e Gjimshiti në qendër, apo edhe Hysaj e Bujar Lika nga krahët, u nënshtruan dukshëm nga sulmuesit kosovarë. Pa harruar as Mavrajn, i cili hyri si zëvendësues, por vijoi të tregojë se mosaktivizimi gjatë muajve të fundit me Hamburgun ka ndikuar në rendimentin e tij.
Sa i takon mesfushës, Odise Roshi e Kamer Qaka të zëvendësuar që në pjesën e parë ishin sinjal i qartë për atë që bënë në fushë. Gjithashtu, Ramdani e Ndoji nuk ishin në lartësi. Vetëm hyrja e Lilajt sikur i dha pak ekuilibër repartit qendror të ekipit. Për të mos folur pastaj për sulmin, ku Guri u duk i vetmi që u përpoq të luftonte. Aktivizimi i Manajt praktikisht nuk ndikoi në sulmin e kuqezinjve, aty ku zhgënjyes u shfaq sidomos Sokol Cikalleshi, të cilit i duhet të gjejë një skuadër gjatë verës. Mirëpo me një paraqitje si ajo ndaj Kosovës, natyrisht edhe ai ka humbur mjaft pikë. Motivimi i munguar dhe lodhja pas një sezoni të gjatë nuk mund të jenë justifikime për Hysajn me shokë. Fundja, në të njëjtën situatë ishin edhe lojtarët e Kosovës, të cilët përkundrazi treguan freski fizike, dëshirë e mbi të gjitha…klas.