UEFA ka hedhur të martën në Nion shortin për turet e para kualifikuese të edicionit të ri të Champions League. Dhe përfaqësuesja e futbollit shqiptar, Kukësi, ka mësuar kundërshtarin, që do të jetë skuadra malteze e Valetas. Sigurisht është një short i lehtë për veri-lindorët, që kanë shmangur ekipe më të fortë si sllovakët e Spartak Trnavvës. Përballja e parë do të luhet më 10 ose 11 korrik në Shqipëri, kurse kthimi pas një jave në La Valeta. Ndërsa turi i dytë është edhe më i vështirë, pasi kukësianët nëse kalojnë maltezët, do të sfidojnë një ekip më të fortë.
Gjithashtu një tjetër skuadër shqiptare, por që përfaqëson Maqedoninë, Shkëndija e Tetovës, ka qenë pjesë e shortit të turit të parë të Champions League. Sfida që i kanë dhuruar goglat është ajo me uellsianët e “The New Saints”. Ndërkohë, edhe Ansi Agolli dhe Qarabagu i tij do të nisin nga turi i parë eleminator. E konkretisht pengesa fillestare që duhet kaluar janë sllovenët e Olimpija Ljubjanës.