Shkarkohet Lopetegui, në vend të tij emërohet…

Sport

Julen Lopetegui
Pas plot zhurme dhe spekulimesh mbrëmjen e së hënës Reali i Madridit njoftoi shkarkimin nga detyra të trajnerit Julen Lopetegui. Humbja 5-1 me Barcelonën në “El Clasico” ka qenë e pa-përtypshme nga drejtuesit e Los Blancos duke mbyllur përfundimisht përvojën e ish-trajnerit të Spanjës pas vetëm 4 muajsh në krye. Nuk pati konferencë për shtyp, nuk pati as deklaratë nga Lopetegui, por vetëm një komunikatë nga web-site-i zyrtar. Komunikatë që ishte e ashpër. “8 kandidatë për Topin e Artë në skuadër dhe rezultatet ishin jashtë parashikimeve” thuhej në të ndërsa theksohej se zëvendësuesi i 52-vjecarit do të jetë Santiago Solari.

Santiago Solari 1038075

Argjentinasi, ish-lojtar i galaktikëve është ngarkuar të drejtojë përkohësisht ekipin deri në një vendim të radhës nga bordi i klubit. Lëvizja e fundit nga Florentino Perez ka ardhur pas konsultimeve të shumta me stafin e tij, por edhe me lojtarët. Lopetegui sipas gazetave spanjolle, ishte paraqitur në ambientet stërvitore sikur asgjë nuk kishte ndodhur, ndërsa kishte shmangur pikasjen e kamerave. Për 52-vjecarin ky është një dështim i rëndë. Për të marrë përsipër Realin, ai pati lënë Spanjën vetëm dy ditë përpara nisjes së botërorit. Në vend të tij, të paktën për këto dy javë të ardhshme, trajner i Realit mendohet të jetë Solari. Argjentinasi do jetë së paku me përballjet me Valladolid dhe po kështu edhe me Viktoria Plzen në UEFA Champions League.