Shkarkimi i Claudio Ranierit nga Leicester City, ka krijuar një trazirë të madhe në botën e futbollit ku të shumtë kanë qenë ata të cilët janë rreshtuar në krah të 65-vjecarit italian duke nënkuptuar se klubi do të pendohet nga ky vendim. Njëri prej tyre, i cili tërheq vëmendjen me përkrahjen e tij është Jose Murinho, pikërisht ai i cili ka qenë dhe antagonisti kryesor në karrierën e Ranierit. “Shkarkohet kampioni i Anglisë dhe trajner i vitit, e pra Claudio ky është futbolli. Mos resht së buzëqeshur mik, askush s’mund ta fshijë historinë që ti shkrojte” – ka shkruar në twitter trajneri portugez i Manchester United-it, i cili sezonin që shkoi u shkarkua nga Chelsea fillë pasi u mund nga Claudio. Por fjalët e Mourinhos shkojnë në sintoni me situatën që kanë përcjellë mediat angleze. Te Leicester City janë fshirë menjëherë të gjitha postimet në rrjetet sociale ku flitej për Ranierin. Klubi ka nxituar të ndërrojë edhe foton zyrtare duke e hequr italianin nga festa e titullit ku shfaqej deri në mesjavë. Pikërisht kjo mënyrë sjelljeje nuk është pritur aspak mirë nga tifozët e Leicester-it por edhe nga sportdashësit në përgjithësi, të cilët i kanë thurrur elozhe 65-vjecarit duke rikujtuar atë cka ai bëri vitin që shkoi. Sidoqoftë vëmendja tanimë shkon te pasuesi që do të emërohet. Kompanitë e basteve kanë rendur të përpilojnë një listë me arlternativa. Roberto Mancini thuhet të jetë më favoriti, duke qenë se aktualisht është edhe i pa-angazhuar pas shkarkimit nga Interi. Në radhë pas tij vijnë Alan Pardew, Nigel Pearson dhe Frank De Boer.