Shënoi në derbi ndaj Milanit, Edin Dzeko qartëson idetë për të ardhmen e tij

Sport

Karriera e tij është e mbushur plot me gola, por këtë herë, Edin Dzeko e ka lënë topin në derën e drejtuesve të Interit. Sulmuesi është në muajt e fundit të kontratës me klubit zikaltër dhe për të ardhmen e tij nuk mund të thuhet asgjë me siguri.

Megjithatë, vetë dëshira e lojtarit, është të qëndrojë në radhët e Interit. “Kur do firmos kontratën time të re? Nuk e di. Për këtë duhet të pyesni drejtuesit e klubit, sepse gjithçka varet prej tyre”, janë fjalët e boshnjakut, i cili nga ana e tij ka bërë të ditur se preferon ta vazhdojë karrierën me fanellën zikaltër.

Ndonëse 37 vjeç, Dzeko vazhdon të tregojë se është një futbollist mjaft i rëndësishëm për organikën e Simone Inzaghit. Një gjë të tillë, sulmuesi i qendrës e tregoi edhe të martën mbrëma, teksa shënoi një prej golave në euroderbi, në atë fitore 2-0 të Interit ndaj Milanit.

Sa herë që ekipi ka pasur nevojë për të në momente vendimtare, Dzeko ka qenë gjithmonë aty, duke treguar personalitet dhe gjithmonë gati për të ndihmuar ekipin. Këtë edicion futbollistik, ish-lojtari i Romëska luajtur 47 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke dhënë një kontribut prej 19 golash, me 14 finalizime dhe 5 asiste.

Pasi kemi mësuar dëshirën e Dzekos për të mbetur pjesë e Interit, mbetet për t’u parë se cili do të jetë hapi i radhës nga drejtuesit e klubit, nëse do t’i propozojnë një rinovim lojtarit në fjalë, apo palët do të ndajnë rrugët në fund të sezonit.