Shënoi 4 gola në 28 minuta, Luka Joviç debuton me sukses tek Fiorentina

Sport

Ka nisur me mjaft sukses transferimi i Luka Joviç tek Fiorentina. Sulmuesi i qendrës i dha fund aventurës 3 vjeçare me Real Madrid, duke u transferuar me parametra zero në klubin vjollcë, ndonëse kontrata e tij me Los Blancos përfundonte në vitin 2024.

Megjithatë, në rast shitje të lojtarit nga ana e Fiorentinës, Reali do përfitojë 50% të shumës totale. Kjo është marrëveshja që të dyja klubet kanë gjetur së bashku në kryerjen e këtij operacioni.

Ndryshe nga aventura spanjolle, transferimi i Joviç në Itali ka nisur të japë frytet e para. Edhe pse ishte një ndeshje miqësore, ballkanasi ia doli të shënonte më shumë gola, sesa kishte shënuar në 51 ndeshjet e tij zyrtare me Real Madrid. Në Santiago Bernabeu ai ia doli të realizonte vetëm 3 gola gjithësej.

Në takimin e fazës përgatitore të zhvilluar ndaj Real Vicenza, Fiorentina fitoi 7-0. Përveç finalizimeve të Gonzalez, Pierozzi dhe Ikone, të 4 golat e tjerë u realizuan nga Luka Joviç. 24 vjeçari arriti të shënonte një poker, dhe këtë arriti ta bënte në vetëm 28 minuta ta luajtura, e duke I dhënë një sinjal drejtuesve vjollcë se lëvizja ka qenë e duhura.

Teksa Fiorentina vazhdon më fazën përgatitore, forma e Joviç mbetet për t’u parë në vazhdimësi, nëse do arrijë ose jo të bëjë diferencën nën urdhërat e trajnerit Vinçenzo Italiano.