Shearer shtyn Mbappe të transferohet në ‘Premier League’

Sport

Spekulimet që lidhin Kylian Mbappe me një transferim në Angli sa vijnë e shtohen. Ylli francez mendohet të jetë ndër objektivat kryesorë të merkatos së Liverpulit, por edhe të klubeve si Manchester United, që gjithësesi nuk janë aq të avantazhuar sa ‘the reds’. Pak ditë më parë, Mbappe foli me lëvdata për skuadrën e Jurgen Klopp, çfarë nga shumë media u pa si një sinjal që kampioni i botës është i gatshëm për kalimin e tij në Merseyside. Një transferim i tij tek Liverpuli shihet si një vlerë e shtuar për kampionatin anglez. I këtij mendimi është edhe legjenda Alan Shearer, i cili shtyn 21-vjeçarin të mendojë për kalimin e tij në ‘Premier League’. Shearer thotë se një francez i talentuar si Mbappe do të sillte edhe njëherë emocionet që përcillte Thierry Henry. Por sipas tij, një problem i madh për afrimin e Mbappe mbetet vlera e lartë e kartonit të tij. Shearer bëri shaka duke thënë se për momentin vetëm ish-skuadra e tij, Neëcastle mund të afrojë kampionin e botës, duke iu referuar faktit se tani skuadra bardhezi ka një pronar shumë të pasur. Ish-kampioni i Anglisë e mbylli duke thënë se transferimi i një talenti si Mbappe do të jetë një mision thuajse i pamundur për cilëndo skuadër, duke shtuar se e vetmja mundësi që do të bënte PSG të hiqte dorë nga 21-vjeçari, do të ishte nëse vetë Mbappe kërkon me ngulm një largim nga kampionët e Francës. Gjatë 2019/2020-ës, Mbappe ka treguar një formë të shkëlqyer, duke realizuar 30 gola dhe 17 asiste në 33 ndeshje të zhvilluara në të gjitha kompeticionit. Ndërsa sa i përket vlerës së tij, PSG nuk ka ndërmend të dëgjojë asnjë ofertë nën kuotën e 200 milionë eurove.