SHBA, Messi kryen ‘stërvitjen’ e radhës; tjetër dopietë për argjentinasin

Sport

 

Lionel Messi vazhdon të mahnisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa herë që zbret në fushën e blertë. Argjentinasi ishte protagonist absolut në një tjetër sukses të rëndësishëm të Inter Miami-t, që mposhti pas penalltive skuadrën e Dallas-it, për t’u kualifikuar në çerekfinalet e ‘Leagues Cup’. Përballja mes dy skuadrave pa të shënohej një barazim 4-4, ku nuk munguan edhe autogolat. Pas një goli të anulluar të Dallas-it, Messi kaloi në avantazh skuadrën e Inter Miami, në një kombiminim që të kujtonte kohët e vjetra tek Barcelona me Jordi Alba. Mirëpo skuadra teksane në anën tjetër nuk do të hiqte dorë dhe do të përmbyste gjithçka brenda pjesës së parë. Fillimisht ishte Quignon që barazoi në minutën e 37-të, ndërsa në fundin e kohës së rregullt, Kamungo i dha avantazhin ekipit të tij. Gjërat po shkonin në mënyrën e duhur për ta, kur Velasco çoi shifrat në 3-1 në minutën e 63-të. Tek Inter Miami filluan të ushtronin më shumë presion dhe Messi do të bënte një tjetër kombinim me Jordi Alba-n. Ky i fundit do të shërbente asistin për Cremaschi, që përshëndeti rrjetën. Por vetëm 3 minuta më vonë, Taylor do të devijonte në mënyrë të gabuar topin, duke e çuar në rrjetën e skuadrës së tij, me Dallas-in që rimori avantazhin prej dy golash. Kur kishin mbetur 10 minuta nga fundi i kohës së rregullt, Farfan do të dhuronte një tjetër autogol në këtë sfidë, ndërsa goli i barazimit për Inter Miami-n do të vinte sërish falë Leo Messi-t. Argjentinasi shënoi një tjetër gol të jashtëzakonshëm nga goditja e dënimit, duke bërë që sfida të shkonte drejt penalltive. Lojtarët e trajneri Tata Martino ishin më të saktë nga 11 metrat, duke u bërë e para skuadër që siguron çerekfinalet, ndërkohë që Messi, me 7 gola, është që tani golashënuesi më i mirë i kompeticionit.