Juventusi dhe Milani kanë barazuar 2-2 në miqësoren e luajtur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një sfidë ku trajnerët nuk u kursyen për të marrë më të mirën. Milani kaloi në avantazh në minutën e 23-të falë Malick Thiaw, që shfrytëzoi më së miri një krosim të Theo Hernandez. Juventusi provoi të reagonte menjëherë dhe barazoi pas 10 minutash, kur Danilo shfrytëzoi kaosin e krijuar në zonën e kuqezinjve. Milani rimori avantazhin në të 39-ën minutë, me Thiaw që ishte sërish protagonist. Mbrojtësi këtë herë asistoi për Olivier Giroud, që e pati të thjeshtë të mposhtte Szczesny-n.
Me fillimin e pjesës së dytë, torinezët vendosën sërish barazpeshën. Edhe këtë herë, goli erdhi nga goditjet standarte, me Chiesa-n që shërbeu Daniele Rugani-n. Trajnerët provuan të ndryshonin diçka në sistemin e lojës, për të tentuar fitoren, por rezultati qëndroi i pandryshuar. Kështu, ekipet shkuan drejt penalltive, aty ku bardhezinjtë ishin më të saktë e triumfuan 3-2.
Trajnerët u shfaqën të kënaqur pas takimit, duke u shprehur se kanë parë gjëra të rëndësishme që të përmirësohen. Pioli vuri theksin tek ndryshimi i sistemit të skuadrës në fushë në lojë e sipër, gjë që sipas tij u realizua sipas udhëzimeve të dhëna prej 57-vjeçarit. Tekniku i Milanit refuzoi ta quante rezultatin ndaj Juventus si një hap prapa, pas asaj që skuadra dha kundër Real Madrid, pasi disa nga lojtarët duan ende kohë për të qenë në ritmin e tyre më të mirë.
Edhe për Allegri-n, takimi ndaj Milanit ishte një provë e mirë, duke qenë se mori një përgjigje shumë të mirë nga lojtarët e rinj, që ai i sheh edhe si alternativa për sezonin e ri. Ndonëse ekipi bardhezi ende nuk është i kompletuar, duke marrë parasysh faktin që torinezët po lëvizin ende në merkato, Allegri thotë se është i përqëndruar tek puna me lojtarët që ka aktualisht në dispozicion, teksa përsëriti se është gjithnjë në kontakte me drejtuesit për çdo tentativë që bëhet për afrimin e lojtarëve.