SHBA, Andrea Pirlo i jep fund karrierës si futbollist pas 22 vitesh në fushë

Sport

andreapirlo

Andrea Pirlo i jep fund futbollit të luajtur. 38-vjecari kampion bote ka luajtur ndeshjen e fundit me New York City-in në Shtetet e Bashkuara dhe ka hequr përfundimisht fanellën e lojtarit. Përmes një postimi në rrjetet sociale italiani falenderoi të gjithë klubet që i kanë dhënë mundësi të luajë gjatë karrierës së tij të gjatë. Pirlo nisi fillimisht me Brescian, për të kaluar më pas te Inter, Milan e Juventus, ku luajti më shumë se 800 ndeshje si profesionist duke fituar 2 tituj të Champions League-ës, 6 kampionate të Serie-A-së, 2 Kupa Italie dhe plot tituj të tjerë, ku ndër më të çmuarit mbetet Kupa e Botës fituar me Italinë në vitin 2006-të. Pirlo luajti për 22 vite dhe me kombëtaren diskutoi 116 ndeshje. Teknika, vizioni i lojës, qetësia dhe sidomos goditjet e dënimit ishin specialiteti i tij. I ashtuquajtur “arkitekti” apo “mjeshtri” mori plot mesazhe falenderimi për kontributin e tij. Gianluigi Buffon, Mario Balotelli apo dhe lojtarë aktual të New York City-it si David Villa i uruan atij suksese në aktivitetin e radhës që ai do të ketë jashtë fushe. Trajneri i New York-ut, Patrick Vieira e cilësoi Pirlon një lojtar i cili ndryshoi rrënjësisht rolin e mesfushorit që qëndron përpara mbrotjjes, nga një rol kryesisht për të ndalur aksionet e kundërshtarëve, në një “playmaker” të aftë për të diktuar lojën e skuadrës, praktikisht i “papërsëritshëm”.