Shaqiri: ia vlen të festosh pa pushim…

Sport

Sërish ka festuar titullin e kampionit të Evropës për klube. Megjithëse pa luajtur asnjë minutë në finale. Xherdan Shaqiri e realizoi këtë arritje për të dytën herë në karrierë, pasi skuadra e tij, Liverpooli, triumfoi ndaj Tottenhamit me rezultatin 2:0 në finalen e këtij edicioni të Ligës së Kampionëve. Për këtë triumf, shqiptari që ka zgjedhur të luajë për Zvicrën, festoi me tifozët e Liverpoolit në rrugët e qytetit. Nga autobusi ku festoi me shokë për së paku 3 orë, Shaqiri e konsideroi gjithcka si të mrekullueshme. “Nuk prisja kaq shumë njerëz, është thjesht fantastike se sa shumë e duan këtë klub. Jemi të lumtur për trofeun. Edhe sepse nuk ndodh shpesh ta fitosh. Jam duke e shijuar këtë atmosferë dhe do ta mbajë mend për një kohë të gjatë”, rrëfeu emocionet e tij Shaqiri, i cili tregoi edhe se kishte fjetur vetëm dy orë pas finales në Madrid. Mirëpo, gjithsesi ishte i gatshëm të vazhdonte të festonte edhe një javë pa fjetur.


Ndërsa në lidhje me skuadrën ku luan, ish-lojtari i Bajernit dhe Interit pranoi se Liverpuli regoi cilësi dhe karakter, edhe në finalen e së shtunës, ashtu si përgjatë të gjithë sezonit. “Tashmë po shijojmë gjithçka, brenda dhe jashtë fushës. Jemi të bashkuar dhe në këtë mënyrë, mund të arrijmë gjëra të mëdha. Jemi të zhgënjyer që nuk e fituam Prmeier League, por jam i lumtur që e fituam këtë titull të madh pasi të gjithë e merituan, nga skuadra deri tek tifozët. Për mua është titulli i dytë pasi e kam fituar edhe me Bajernin. E di çfarë do të thotë ta fitosh këtë trofe. Me siguri që nuk do ta harrojmë kurrë këtë ditë”, përfundoi Shaqiri, i cili largoi edhe dyshimet për një largim të mundshëm nga ekipi i Klopp, duke thënë se do të qendrojë për të fituar akoma më shumë me Liverpulin.