Pranimi i Kosovës nga FIFA ditën e premte ishte një lajm historik për të gjithë futbollin shqiptar.
Kjo sigurisht që nuk ishte një ditë e gëzueshme për Serbinë, e cila bëri të ditura planet për paraqitjen e kësaj çështjeje në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).
Gjithsesi, pavarësisht këtyre ‘përplasjeve’ që tashmë duken një kapitull i mbyllur, debatet ngrihen në lidhje me futbollistët me origjinë kosovare të cilët luajnë për kombëtaret e tjera të Europës, e jo vetëm.
Kosova tashmë mund të marrë pjesë në eliminatoret e Kupës së Botës 2018 që do të zhvillohet në Rusi, e për këtë do të kërkojë të ketë në gjirin e saj futbollistë si Granit Xhaka apo Xherdan Shaqiri.
Sipas asaj që raporton “SnntagsBick”, FIFA ka konfirmuar dje që kërkesat e ndryshme individuale të shqyrtohen nga “Komiteti i Statusit të Lojtarëve”. Lojtarëve si Xhaka apo Shaqiri i është dhënë një mundësi nga FIFA. Megjithatë, Shoqata Zvicerane e Futbollit nuk beson se një kërkesë e tillë do të merrte një përgjigje pozitive.
“Ne supozojmë se lojtarët me shtetësi të Zvicrës e të Kosovës, të cilët kanë luajtur gjithnjë në ndeshje zyrtare të ekipit tonë kombëtar, nuk kanë asnjë mundësi për të luajtur ndonjëherë për Kosovën.” – shprehet Peter Gilliéron, kreu i federatës!
Por diçka është e qartë: Së shpejti do të bëhet i mundur krijimi i nje precedenti, në qoftë se për shembull, një lojtar shqiptar bën një kërkesë për të luajtur për Kosovën.
Avokati Robert Breiter thotë:
“Aktualisht nuk kemi asnjë shenjë për këtë, e asnje nga futbollistët nuk ka marrë ende një pozicionim të tijin!”