Futbollisti shqiptar nga Kosova, Meritan Shabani, ka nënshkruar kontratën e tij të parë profesioniste me Bajernin e Mynihut. Ai ishte pjesë e ekipit të rinjve të skuadrës gjermane dhe tani firmosi marrëveshjen e re, që e lidh 19-vjeçarin deri në 2020-n me klubin bavarez. “Bayerni është klubi im dhe fakti që më jepet kjo mundësi më bën pafundësisht të lumtur. Dua të vazhdoj përpara, duke mësuar sa më shumë në vitet që do të vijnë”, deklaroi Shabani, pas nënshkrimit të kontratës. Gjithashtu, mbi këtë firmosjes me Shabani, foli edhe Hasan Salihamidzic, ish futbollisti i njohur i Bayernit, i cili aktualisht është drejtor sportiv në klubin bavarez. “Meritani është lojtar shumë i talentuar, i cili i ka kaluar nëpër të gjitha ekipet tona zinxhir. Prandaj jemi shumë të kënaqur që do ta kemi atë në radhët tona për një kohë të gjatë”.
Mesfushori-sulmues me rrënjë shqiptare debutoi për ekipin e parë të Bayern Munich, në javën e 32-të të Bundesligës, ku bavarezët fituan 4-1 ndaj Eintracht Frankfurt në “Allianz Arena”. 19-vjeçari ishte pjesë e formacionit titullar të trajnerit Heynckes, duke u aktivizuar për 56 minuta, teksa u zëvendësua nga Thiago Alcantara. Më parë ka qenë pjesë e padiskutueshme e formacionit të moshave, ku në 20 ndeshje ka arritur të shënoj 8 gola dhe të japë 5 asiste. Bavarezët besojnë te ky talent, pasi jo më kot i kanë dhënë mundësinë të firmosë kontratën si profesionist. Shabani ka lindur më 15 mars 1999 në Mynih të Gjermanisë, nga prindër kosovarë që vijnë nga qyteti i Shtimës. Mirëpo sa i takon kombëtareve, Shabani ende nuk ka pasur ndonjë ftesë as nga Shqipëria, as nga Kosova. Mirëpo me siguri që nuk do të mungojnë kërkesat për të, ku në garë nuk është çudi të hyjë edhe Gjermania.