Sfida me Liverpool, trajneri i Salzburg beson tek surprizat e skuadrës së tij

Sport

Jesse Marsch (trajneri i Salzburg): “Anfield është një stadium special. Na pëlqen që do të kemi mundësinë të luajmë këtu dhe sigurisht që na frymëzon për të bërë një paraqitje sa më të mirë. Liverpool-i është skuadra më perfekte që mund të gjesh tani në qarkullim. Por nëse ne luajmë pa frikë, besoj se do të kemi mundësitë tona për t’i befasuar. Mjafton që të luajmë sipas mënyrës sonë, por duhet ta pranojmë që ata do të përpiqen ta dominojnë lojën nga fillimi. Prandaj duhet të shfrytëzojmë në maksiumum çdo rast që do të na paraqitet. Nuk është se kemi një plan të komplikuar apo sekret për të marrë diçka nga kjo ndeshje. Nëse do të jemi në lartësinë e duhur me intensitetin e lojës, atëherë gjërat do të shkojnë ashtu siç duam ne.”

Rasmus Kristensen (mbrojtës i Salzburg): “Kjo është absolutisht ndeshja më e madhe e karrierës sime deri më tani. Të gjithë do përpiqemi të japim maksimumin tonë. Luajmë kundër kampionëve në fuqi dhe nuk ka për të qenë e lehtë, por besojmë tek aftësitë tona dhe kemi punuar shumë për të arritur deri këtu. Besojmë në shanset tona dhe jemi gati t’i shfrytëzojmë. Trajneri na ka kërkuar të luajmë të qetë dhe pa patur frikë. Do sfidohemi me lojtarë të jashtëzakonshëm, të klasit botëror, por kjo është një mundësi e mirë për të parë edhe nivelin tonë. Nëse duam të përmirësohemi, kemi nevojë të luajmë sa më shumë ndeshje të tilla.”