Sfida Juventus – Barcelona, ja çfarë thonë trajnerët dhe lojtarët

Sport

jjuhydu

Massimiliano Allegri, trajneri Juventusit: Mirë është që të mos pësosh gola kur luan ndeshjen e parë në shtëpi, dhe kundër një skuadre si Barcelona, s’ka për të qenë e lehtë. Në rastin tonë s’do jetë e lehtë edhe të shënojmë më shumë se ata. S’imagjinohen dot dy rezultate të njëjta 0-0 kundër Barçës dhe të fitohet përmes penalltive. Përmbysja që ata bënë raundin e kaluar, provon se asgjë s’është e sigurt në futboll. Kemi bërë disa hapa përpara, më së shumti në aspektin mental. Për t’u kualifikuar, na duhet të prodhojmë dy performanca të shkëlqyera dhe të kemi pse jo, edhe pak fat.

Buffon, kapiteni i Juventusit: Nuk është se e kam riparë finalen e Berlinit, por kam kujtime të asaj nate të cilat më japin arsye të jem pozitiv për këtë ndeshje. Ata ishin më të fortë se ne, sidomos për mënyrën me të cilën e qasën ndeshjen. Por tani kemi dy vite më tepër përvojë në këto nivele, përvojë që na lejon t’i përballim këto ndeshje me një mentalitet krejt ndryshe.

Luis Enrique, trajneri i Barcelonës: Krahasuar me finalen e Berlinit, ka disa lojtarë të ndryshëm. Juve mbetet një skuadër e shkëlqyer, por s’mund ta them dot nëse janë bërë më të fortë apo më të dobët se dy vite më parë. Kam kujtime të bukura nga ajo finale, por kjo ndeshje është krejt ndryshe, në një çerek-finale të tillë me Juventusin, s’më duhet t’i motivoj lojtarët. Kam parë mjaft ndeshje të tyre dhe ata gjithmonë përpiqen të imponojnë lojën në cdo pjesë të fushës. Do përpiqemi të fitojmë, sikurse bëjmë gjithmonë!

Mascherano, mesfushor i Barcelonës: Gonzalo dhe Paulo janë dy kampionë. I njoh cilësitë e tyre shumë mirë, pasi me ta kam luajtur në kombëtare, prandaj do na duhet të tregohemi të kujdesshëm kundër dy lojtarëve të tillë që mund të vendosin ndeshjen me veprime individuale. Për sa i përket rolit tim në fushë, për mua s’ka problem, mund ta jap kontributin tim si në mesfushë ashtu edhe në mbrojtje.