Emri i Javier Zanetti-t do të lidhet përgjithmonë me historinë e skuadrës së Interit. Argjentinasi kaloi gjithë karrierën e tij si futbollist në radhët e zikaltërve, teksa prej vitesh vijon punën si një nga drejtuesit më të rëndësishëm të klubit. Që nga koha kur ende ishte aktiv në fushën e blertë, emri i Zanetti-t, krahasohej shpesh me emblemën e rivalëve të përjetshëm të qytetit, Paolo Maldini-n e Milanit. Tani të dy në role drejtuesish tek skuadrat që dhanë gjithçka si futbollist, Zanetti flet me elozhe për figurën e Maldini-t, teksa ka zbuluar pak edhe nga marrëdhënia mes tyre.
“Gjithmonë e kam admiruar Paolo-n. Është një njeri i vërtetë dhe shumë i respektueshëm. Ne e kuptojmë shumë mirë njëri-tjetrin. Ai e mbron fanellën dhe historinë e klubit të tij me gjithçka, njësoj si unë, dhe kjo fiton një respekt të madh nga të gjithë.”
Edhe pse takimet mes tyre nuk janë të shpeshta, Zanetti tregoi se gjithmonë kalojnë kohë të mirë me Paolo-n, tanimë jo thjesht duke kujtuar rivalitetin e dikurshëm në fushën e blertë, por duke diskutuar edhe për të ardhmen e klubeve të tyre. Legjenda e Interit e vlerësoi maksimalisht punën e bërë nga Maldini deri më tani, edhe pse është i bindur që gjërat mund të bëhen edhe më mirë, nëse ai do të ketë mbështetjen e duhur. Sa i përket Interit të tij, Zanetti u shfaq mjaft i qetë rreth situatës financiare të klubit, duke u shprehur se mediat e kanë fryrë pa arsye të gjithë këtë çështje. Argjentinasi i siguroi të gjithë se gjërat në radhët e Interit po ecin sipas planeve dhe se e gjithë vëmendja për momentin është zhvendosur tek merkato dhe përgatitjet për sezonin e ardhshëm.