Serie A, Torino mendon për Simeone-n dhe Joao Pedro-n për të zëvendësuar Belotti-n

Sport

Andrea Belotti ka konfirmuar vendimin e tij për t’u larguar në fund të këtij sezoni nga skuadra e Torino-s, pas përfundimit të kontratës. Sulmuesi i kombëtares italiane e ka refuzuar disa herë përpjekjen e drejtuesve të klubit për të rinovuar, duke vendosur të largohet me parametra zero nga skuadra ku luan që prej verës së 2015-ës. 28-vjeçari ende nuk ka zgjedhur se ku do të luajë sezonin e ardhshëm, ku edhe pse ka disa propozime nga Anglia, mundësitë janë të mëdha që ai të veshë fanellën e Milanit. Nga ana tjetër, Torino ka nisur punën për të zëvendësuar sulmuesin dhe dy emrat e përfolur së fundmi, janë me peshë në kampionatin italian. Bëhet fjalë për Giovanni Simeone të Veronës dhe Joao Pedro të Cagliari-t. Të dy kanë shfaqur rendiment shumë të mirë sa i përket takimit me rrjetën e kundërshtarëve, por për t’i transferuar në Torino, presidenti Cairo do të duhet të shpenzojë më shumë se sa është mësuar. Simeone numëron tek Verona 12 gola të shnëuar përgjatë këtij sezoni të ‘Serie A’, mirëpo kartonin e sulmuesit argjentinas e zotëron Cagliari. Verona ka mundësinë të bëjë një ofertë për të marrë përfundimisht kartonin e Simeones, ndërkohë që Cagliari nuk ka ndërmend të heqë dorë nga kërkesat për Joao Pedro-n. Edhe pse skuadra nga Sardenja nuk po kalon një moment të mirë, Pedro mbetet një nga lojtarët që dallon me performancat e tij, i kthyer tashmë në një lider të ekipit. 29-vjeçari numëron 10 gola e 4 asite në ‘Serie A’, teksa vlera e kartonit të tij llogaritet në 20 milionë euro. Torino do të provojë të ulë çmimin duke përfshirë ndonjë lojtar tjetër në tratativa, edhe pse duket e vështirë që drejtuesit e Cagliari-t ‘të lëkunden’ nga kërkesat e tyre.