Serie A, Torino, Cairo e pranon se për Bremer ka shumë oferta; braziliani do të largohet në verë

Sport

Gleison Bremer është një nga lojtarët që ka shkëlqyer në këtë sezon të ‘Serie A’, duke bërë paraqitje të një niveli shumë të lartë me fanellën e Torinos. Mbrojtësi brazilian prej kohësh flitet se është objektiv merkatoje për shumë klube të mëdha në Itali, ku përfshihen edhe Inter e Juventus, që shohin tek 25-vjeçari karakteristikat e duhura për të bërë diferencën në fazën mbrojtëse.

Në verë duket se do të jetë momenti që Bremer të bëjë hapin e madh të karrierës dhe këtë e konfirmon edhe vetë presidenti i Torinos, Urbano Cairo. Numri 1 i klubit ‘granata’ zbuloi për mediat se në drejtim të tij kanë ardhur shumë oferta për shërbimet e Bremer. Por sipas asaj që rrëfeu Cairo, ofertat nuk janë vetëm nga skuadrat italiane, por edhe nga gjigandë të futbollit europian.

Ky fakt do të thotë se për të transferuar Bremer në merkaton e verës, do të jetë shumë e vështirë, sidomos nëse Inter e Juventus do të duhet të fitojnë një ankand përballë klubeve angleze, me Arsenal e Tottenham që thuhet se janë interesuar për brazilianin. Bremer në anën tjetër ka shprehur mirënjohjen e tij për klubin e Torinos, që i besoi duke i dhënë mundësinë të luajë në ‘Serie A’.

Për të shpërblyer këtë besim, 25-vjeçari rinovoi pak kohë më parë kontratën e tij me Torinon edhe me një vit, në mënyrë që klubi të përfitojë sa më shumë nga shitja e tij. Këtë sezon, ai ka qenë një titullar i padiskutuar në formacionin e trajnerin Ivan Juric. Shpesh, qendërmbrojtësi ka qenë pjesë e 11-shes më të mirë të javës në ‘Serie A’, teksa ka dhënë kontributin e tij edhe në fazën sulmuese, me 3 gola të shënuar e 1 asist. Torino e bleu kartonin e Bremer në verën e 2018-ës, kur u shpenzuan thuajse 6 milionë euro për ta shkëputur nga brazlianët e Atletico Mineiro.