Serie A, Tomori i surprizuar nga cilësia e Adli; thotë se shmang duelet me Leaon

Sport

Fikayo Tomori është një nga investimet më të rëndësishme të Milanit në epokën ‘Maldini-Massara’. Mbrojtësi anglez u transferua nga Chelsea tek kuqezinjtë në formë huazimi e më pas, kartoni i tij u ble nga kampionët e Italisë për shifrën e 29 milionë eurove, pasi bindi me performancat e tij trajnerin Pioli dhe të gjithë tifozët e skuadrës. Tomori shihet tashmë si një element mjaft i rëndësishëm për objektivat e Milanit dhe 24-vjeçari është ndër të parët që ka nisur stërvitjen për sezonin e ri.

I pyetur nga mediat italiane rreth surprizave të para në përgatitjet fizike, Tomori është ndalur gjatë tek mesfushori francez, Yacine Adli. Ky i fundit po shndërrohet në një nga lojtarët më të përfolur për momentin tek kampi milanez, pasi ka arritur të përshtatet mjaft mirë me ekipin në takimet e para miqësore të luajtura. Tomori thotë se Adli ka shfaqur një cilësi që askush nuk e priste, teksa e përshkruan 21-vjeçarin me origjinë algjeriane si një futbollist mjaft inteligjent e altruist, që di të përshtasë lojën e tij në situata të ndryshme. Sa i përket grintës, Tomori e krahasoi me Sandro Tonalin, pasi të dy përpiqen të fitojnë çdo duel në mesin e fushës. Mbrojtësi anglez më pas u ndal edhe tek një tjetër transferim i Milanit, Divock Origi.

Sipas tij, Origi ka eksperiencën e mjaftueshme për të garantuar cilësi në fazën sulmuese dhe është e kuptueshme se të gjithë presin prej tij të bëhet protagonist me gola. Vetë Tomori është shfaqur në gjendje mjaft të mirë fizike, edhe pse 24-vjeçari u shpreh se duhet të punojë ende për të qenë në maksimumin e tij. Në stërvitje, ai ka parë entuziasëm të madh tek shokët e skuadrës, ndërkohë që pyetjes së cilin lojtar nuk do të donte ta kishte kundërshtar, i është përgjigjur me emrin e Rafael Leaos. Portugezi, i cili ishte ylli kryesor në rrugëtimin e Milanit drejt titullit kampion, është dribluesi më i mirë në radhët e kuqezinjve dhe me shpejtësinë që ka, kthehet në një problem edhe për një si Fikayo Tomori.