Çështja ‘titull’ në ‘Serie A’ zhvendoset për në javën e fundit. Interi do të luajë në transfertë, jo shumë larg shtëpisë, ndaj Como-s, që edhe pse i ka realizuar të gjitha objektivat e këtij sezoni, qëndron e pamposhtur prej 8 ndeshjesh radhazi. Ndërkohë që Napoli, do të presë në shtëpi Cagliari-n, që me fitoren ndaj Venezia-s 3-0 në javën e 37, tashmë e ka siguruar mbijetesën.
Skuadrat e kreut ndahen vetëm nga një pikë, çfarë do të thotë se Napoli e ka vetë në dorën e fatin e këtij sezoni. Skuadra e Antonio Conte-s, në rast të një fitoreje ndas Cagliari-t, do të mbyllte çdo diskutim, pa u varur tek sfida paralele e së premtes me Como-s dhe Inter-it. Në këtë situatë, Napoli do të shpallej kampion i Italisë për të dytën herë në 3 vitet e fundit. Në rast se të kaltrit do të barazonin në shtëpi, atëherë ‘sytë’ do të ktheheshin drejt Lombardisë, ku një fitore e Interit do të konfirmonte zikaltërit si kampionët e ‘Serie A’, ndërkohë që çdo rezultat tjetër do të shkonte në favor të Napolit. Ndërsa skenari që duket më i vështirë për t’u realizuar por jo i pamundur, është ai që skuadrat ta mbyllin në kuotë të barabartë pikësh. Një humbje e Napoli-t ndaj Cagliari-t dhe një barazim mes Como-s dhe Inter-it, do të thoshte se pas 38 javësh, dy ekipet e kreut do të llogarisnin nga 79 pikë. Në këtë rast, titulli do të vendosej me të famshmin ‘spareggio’, pra, një finale mes dy skuadrave, që sipas zërave brenda federatës italiane, do të luhej në një fushë asnjanëse. Sa i përket historisë, Interi nuk ka zhgënjyer kurrë ndaj Como-s, duke triumfuar ndaj tyre si në shtëpi, edhe në transfertë. Ndërkohë që Napoli, në fazën e parë, e mposhti Cagliari-n 0-4, teksa rezultati i fundit zhgënjyes në shtëpi ndaj ekipit nga Sardenja, daton më 2 maj të 2021-shit, kur barazonin 1-1.