Serie A, Strakoshës s’i mjaftojnë pritjet, Berisha në mbrëmje “jo”

Sport

Thomas Strakosha ka bërë dy pritje fantastike ndaj Interit. Mirëpo kaq nuk i majftoi bardhekaltërve të Lacios për të shmangur humbjen 0-1 në “San Siro”, gjatë supersfidës së vlefshme për javën e 5-të të Serisë A. Fillimisht do të ishte Barela i vetëm ndaj portierit shqiptar, teksa pati të gjithë hapësirën e nevojshme për të shënuar. Por Strakosha do të reagonte bukur duke e kapur topin me këmbë. Topi do të mbërrinte te një tjetër lojtar i zikaltërve, Politano, i cili goditi menjëherë, por si një “supermen” Strakosha nuk la realizimin e golit. Por gardiani kuqezi nuk ka mundur të bëjë dot asgjë në momentin e avantazhit të fiksuar nga D’Ambrosio. Gol ky që mbeti në fuqi deri në fund, megjithë tentativat e lacialëve për të barazuar.


Akoma më keq ka shkuar mesjava e kampionatit italian për portierin tjetër të Shqipërisëë, Etrit Berisha. 30-vjecari ishte praktikisht në një mbrëmje “jo”, gjë që ndikoi në humbjen e befasishme 1-3 të Spaltit në shtëpi ndaj Lecces. Berisha pësoi dy gola nga 11-metrat, duke mos arritur të presë gjuajtjet e Mancosu, por pati edhe disa momente pasigurie gjatë ndeshjes.


Humbje erdhi gjithashtu për Napolin e Elseid Hysajt, i cili vazhdoi të ngrohë stolin edhe ndaj Kaljarit. Skuadra e Ancelottit pësoi disfatën e parë të këtij kampionati, në sajë të golit të realizuar nga Castro, tre minuta përpara fundit. Skuadrat e vetme të shqiptarëve të Serisë A që dolën të fituara të mërkurën ishin Atalanta dhe Parma. Mirëpo, në radhët e bergamaskëve, mbrojtësi kuqezi Berat Gjimshiti u la pushim nga trajneri Gasperini, në atë sukses 2-0 të arritur në fushën e vështirë të Romës. Kurse te Parma, Kastriot Dermaku e shikoi përsëri nga stoli fitoren 1-0 të fiksuar në minutën e 5-të shtesë nga ekipi i tij përballë Sasuolos.