Milan Skriniar do të vijojë të jetë pjesë e Interit, të paktën deri në fundin e sezonit aktual. Zikaltërit nuk kanë gjetur një marrëveshje me PSG për të bërë realitet kalimin e mbrojtësin në Francë brenda janarit, duke refuzuar përpjekjet e fundit të bëra nga Al Khelaifi. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, oferta finale e kampionëve të Francës për Skriniar ishte 8 milionë euro, plus 3 të tjera në formë bonusesh. Tek Interi e kanë refuzuar menjëherë, me shpresën se do të vinte një ofertë më e përmirësuar, por që nuk ka ndodhur kështu. Ata të PSG janë tërhequr nga afrimi i Skriniar në këtë merkato dimërore dhe do të presin qershorin për ta transferuar si lojtar me parametra zero. Mbrojtësi 27-vjeçar ka gjetur një marrëveshje paraprake me PSG për transferimin e tij në Francë gjatë verës, duke hedhur poshtë çdo mundësi për rinovimin e kontratës me Interin.
Sa i përket emrit që do të marrë vendin e Skriniar në të ardhmen, tek Interi kanë bërë sondazhe për emra si Konstantinos Mavropanos të Stuttgart dhe Merih Demiral të Atalantës. Në orët e fundit të merkatos së janarit, zikaltërit kanë provuar edhe të gjejnë një marrëveshje për Benjamin Pavard të Bayern Munich, por kjo lëvizje ishte e pamundur për t’u realizuar në aq pak kohë. Largimi i Skriniar me parametra zero në fundin e këtij sezoni padyshim që nuk është një lajm i mirë për drejtuesit e Interit, që kërkonin rreth 15 milionë euro për ta lënë sllovakun të lirë që në janar. Skriniar shihej si një nga lojtarët më vlerën më të lartë në ekipin e Simone Inzaghi-t, që tani duhet të mendojë të luajë edhe pa 27-vjeçarin.