Serie A, Shifrat para Milan-Juventus

Sport

Përballja mes Milanit dhe Juventusit në javën e 13 të ‘Serie A’ pritet të jetë mjaft vendimtare për fatet e të dyja skuadrave. Milani kërkon me çdo kusht fitoren ndaj një rivali direkt për zonën ‘Champions’, teksa për Fonseca-n dhe lojtarët e tij, ‘hapat fals’ tani mund të kushtojnë akoma më shumë. Disa prej shifrave në përballjet e fundit mes këtyre dy skuadrave flasin në favor të kuqezinjve, por sfida në ‘San Siro’ pritet të jetë mjaft e ndërlikuar.

Që nga maji i 2021-shit, në 7 ndeshjet e fundit kundër kuqezinjve, Juventusi ka shënuar vetëm 2 gola. Një problem në sulm, që për trajnerin Thiago Motta do të thotë shumë, sidomos duke parë mungesat e shumta e të rëndësishme të torinezëve në repartin e sulmit.

Në takimet që ka luajtur në shtëpi, sa i përket kampionatit, Milani ka barazuar me Juventusin më shumë se ndaj çdo kundërshtari tjetër, 34 herë. Në përballjet direkte mes tyre në ‘San Siro’, kuqezinjtë kanë fituar në 30 raste, ndërsa ‘Zonja e Vjetër’, 25.

Bardhezinjtë u shfaqën si një nga skuadrat më të mira në kontinent në nisjen e sezonit sa i përket mbrojtjes dhe portës së paprekur. 4 nga 5 ndeshjet e para në transfertë, ekipi i Thiago Motta-s nuk pësoi as edhe një gol, derisa erdhi përballja me Interin në ‘San Siro’, që u mbyll me një barazim historik 4-4.

Në total, në 178 ndeshje të luajtura në ‘Serie A’ mes Milanit dhe Juventusit, kuqezinjtë kanë fituar 53 përballje, me 227 gola të shënuar, ndërkohë që Juventusi është më superiore me 68 fitore dhe 244 gola të shënuar. Në 57 raste, përballjet mes dy prej klubeve më të mëdha të Italisë janë mbyllur në barazim, me një mesatare prej më shumë se 2,65 golash të shënuar për ndeshje.