Serie A, Salernitana, Ribery vendos të tërhiqet nga futbolli, por mund të mbetet në Salerno

Sport

Franck Ribery do t’i thotë ‘stop’ futbollit të luajtur. Veterani francez e ka të pamundur të rigjejë formën fizike pas dëmtimeve të shumta, që nuk e lejuan të debutojë në këtë sezon të ri të ‘Serie A’. Tek Salernitana ishin në pritje të rikthimit të tij në fushën e blertë, por mesa duket gjasat janë që diçka e tillë të mos ndodhë. Në moshën 39-vjeçare, Ribery është gati t’i thotë lamtumirë futbollit pas një karrierë të pasur, që sigurisht ka kulmuar me fitimin e ‘Champions League’-ës me fanellën e Bayern Munich, në sezonin 2012/2013, kur ishte edhe kandidat i fortë për të fituar ‘Topin e Artë’. Vendimin e tërheqjes nga futbolli i luajtur, Ribery e ka bërë publike edhe të shokët e skuadrës, pas ndeshjes kundër Veronës. Kontrata aktuale e Ribery me Salernitanën supozohej të skadonte në fundin e këtij sezonit, por duke parë vendimin e marrë nga lojtarit, gjithçka mund të përfundojë shumë shpejt. Megjithatë, e ardhmja e francezit mund të mbetet tek klubi nga Salerno. Mediat italiane kanë konfirmuar se 39-vjeçarit do t’i propozohet një kontratë si drejtues në radhët e skuadrës, që do të zgjasë deri në korrikun e 2024-ës. Burime pranë ish-yllit të Bayern Munich bëjnë me dije se Ribery do ta pranojë propozimin e Salernitanës, për të nisur një karrierë si drejtues, ku thuhet se mund të ketë një rol të rëndësishëm që nga muaji janar i vitit të ardhshëm. Veç ‘Champions League’-ës, Ribery fitoi edhe trofe të tjerë të rëndësishëm përgjatë karrierës së tij, si ‘Superkupa e Europës’, botërorin e klubeve, disa tituj të ‘Bundesliga’-ës apo ‘Kupa të Gjermanisë’. Ndërsa në aspektin personal, vlerësimi më i rëndësishëm individual për të ka qenë trofeu i ‘Lojtari më të mirë’ të ‘UEFA’-s për vitin 2013, kur ishte edhe një konkurent i fortë për ‘Topin e Artë’.