Serie A, Romë; pritje madhështore për Romelu Lukaku-n

Sport

Romelu Lukaku është heroi i ri i Romës. Sulmuesi belg ka konfirmuar transferimin tek kryeqytetasit italianë, teksa është pritur nga mijëra tifozë verdhekuqë në aeroport. Vetë 30-vjeçari nuk e priste një pritje kaq madhështore, që e ka bërë të kuptojë se çfarë pritshmërie kanë njerëzit ndaj tij sa i përket sezonit të ri. Prej kohësh, Lukaku ishte në merkato, me disa skuadra që ishin interesuar për shërbimet e tij, por asnjëherë nuk pati një ofertë zyrtare, me përjashtim të Inter-it, që në fund u zhgënjye nga vetë lojtari. Por pritja që i është bërë nga tifozët e Romës, padyshim që e kanë bërë Lukaku-n të harrojë të gjitha prapaskenat e kësaj vere, duke patur sërish mundësinë të vihet nën urdhërat e trajnerit Jose Mourinho. Lukaku shihet si një titullar i padiskutueshëm tek Roma, ku me përkrahjen nga lojtarë si Dybala apo Pellegrini, mund të jetë një kërcënim i vazhdueshëm për mbrojtjen kundërshtare. Roma do t’i paguajë thuajse 8 milionë euro për huazimin 1-vjeçar të Lukaku-t nga Chelsea, ndërkohë që lojtari do të paguhet nga klubi italian rreth 7,5 milionë euro. Ashtu siç u konfirmua edhe në ditën që u arrit akordi, Roma nuk ka asnjë detyrim për blerjen e kartonit të Lukaku-t, por mund të ketë prioritet nga Chelsea në verën e ardhshme, nëse verdhekuqtë do të vendosin ta bëjnë diçka të tillë në fundin e sezonit të saponisur. Tek Roma janë të bindur se Lukaku do të jetë lideri i ri i skuadrës dhe me Mourinho, belgu mund të nxjerrë më të mirën. Në sezonin 2017/2018, Lukaku ishte nën urdhërat e teknikut portugez tek Manchester United, ku në 51 ndeshje në të gjitha kompeticionet, gjeti rrugën e rrejtës në 27 raste, si dhe asistoi 9 herë për shokët e skuadrës.