Sezoni i Romës vijon të jetë në një krizë totale. Skuadra e kryeqytetit nuk po ia del dot të ndalë nga ‘tuneli’ i errët, pavarësisht se kanë ndryshuar 2 herë trajnerët e tyre, me De Rossin dhe Juric që i kanë lënë vendin veteranit Claudio Ranieri. Verdhekuqtë nuk gjejnë fitoren në kampionat që nga 31 tetori, kur mundi minimalisht në shtëpi, skuadrën e Torinos. Misioni i Ranierit në krye të Romës dihej që nuk do të ishte i lehtë, pasi skuadra aktualisht nuk po ia del as të prodhojë lojë, ndërkohë që edhe elementët kyç të ekipit nuk po i vijnë në ndihmë. Paulo Dybala vazhdon të vuajë herë pas herë shqetësimet fizike, ndërkohë që për mungesën e golave, sytë hidhen nga sulmuesi ukrainas, Artem Dovbyk. 27-vjeçari pritej të ishte në këtë sezon një nga themelet e skuadrës së Romës, por aktualisht, njësoj si i gjithë ekipi, edhe ai po kalon një krizë. Dovbyk ka shënuar 4 gola në ‘Serie A’ gjatë këtij sezoni, por i fundit daton më 3 nëntorin që lamë pas, kur Roma u mposht 3-2 nga skuadra e Veronës. Pra, më shumë se 1 muaj pa gjetur në rrugën e rrjetës, teksa në ‘Europa League’, goli i fundit është në muajin tetor. Kjo situatë nuk i shkon aspak një sulmuesi që erdhi si një nga investimet më të rëndësishme të klubit në vitet e fundit. Edhe në këtë rast, duke parë shifrat që ka Dovbyk, sa i përket mesatares së goditjeve apo prekjeve të topit në zonën kundërshtare, kupton që fjalët e thëna nga Ranieri, për mungesën e fantazisë dhe nevojën për përmirësimin e aspektit taktik janë mëse të vërteta. Roma ka shënuar 14 gola në këtë sezon pas 14 javësh, një shifër që nuk reflekton ecurinë e një ekipi që synon të jetë në zonën europiane. Ranieri e pranoi se për të gjykuar sulmuesit e skuadrës, duhet që fillimisht t’u shërbejmë si duhet. Dovbyk bën mesatarisht 2 goditje për ndeshje, një shifër që Ranieri e konsideron të ulët, por sipas tij, që ukrainasi të përmirësojë këto shifra, duhet shërbyer ashtu siç duhet nga pjesa tjetër e skuadrës. Artem Dovbyk u bë pjesë e Romës në merkaton e verës, kur klubi italian shpenzoi më shumë se 30 milionë euro, për ta transferuar nga skuadra e Girona-s.