Henrikh Mkhitaryan është në listën e lojtarëve që do të jenë pa kontratë në verën e ardhshme, çfarë ka bërë që në adresë të tij, të shfaqin interes disa skuadra. Pjesë e Romës që prej verës së vitit 2020, Mkhitaryan është kthyer në një nga elementët më të rëndësishëm të mesfushës së kryeqytetasve, teksa këtë sezon të ‘Serie A’, ka dhënë kontributin e tij edhe me 3 gola e 5 asiste. Mes përfaqësuesve të Mkhitaryan dhe atyre të klubit të Romës ka patur disa takime sa i përket rinovimit, por të gjitha propozimet janë hedhur poshtë nga ana e lojtarit. Megjithatë, mediat italiane raportojnë se drejtuesit e Romës ende nuk janë dorëzuar dhe se ekziston një mundësi për të rinovuar kontratën me armenin edhe për 1 sezon tjetër. Ky propozim mbetet gjithësesi i vështirë për t’u pranuar nga ana e Mkhitaryan, i cili tashmë në moshën 33-vjeçare, kërkon të ketë një kontratë me të gjatë në kohë, si një garanci për karrierën e të ardhurat e tij. Me gjasa, lojtari do të presë fillimisht, për të parë propozimet e tjera që mund të vijnë nga Italia apo edhe jashtë saj dhe më pas do të mendojë të ulet sërish në bisedime me Romën, për të dhënë një përgjigje përfundimtare. Ish-lojtari i skuadrave si Shakhtar, Dortmund, Manchester United dhe Arsenal nuk e përjashton edhe mundësinë për të lëvizur nga kontinenti, nëse do të ketë një ofertë të majme në aspketin financiar, ndonëse dëshira e tij mbetet që të luajë në nivelet më të larta edhe për disa vite të tjera.