Serie A, Roma nuk ndalet në merkato; pranë firmës me Belotti-n dhe mendohet për një mbrojtës

Sport

Roma ka qenë padiskutim një nga skuadrat më aktive në merkaton italiane, në përpjekjen për të ndërtuar një ekip të kompletuar për trajnerin Jose Mourinho. Pas afrimeve të rëndësishme të emrave si Dybala, Ëijnaldum apo Matic, tani radhën e ka fimra me Andrea Belotti-n. Mediat në Itali raportojnë se prej ditësh ka kontakte të vazhdueshme me ish-sulmuesin e Torinos, që thuhet se është bindur nga projekti i kryeqytetasve dhe është i gatshëm të nisë aty aventurën e tij të re. 28-vjeçari thuhet se do të firmosë një kontratë 3-vjeçare, nga ku do të përfitojë rreth 3 milionë euro në sezon.

Belotti do të jetë një afrim shumë i rëndësishmë për trajnerin Mourinho, i cili në një sezon të gjatë e me kalendar mjaft të ngjeshur, veç Abrahamm, do të ketë në dispozicion edhe një sulmues tjetër me peshë, që e njeh mjaft mirë ‘Serie A’. Por për të mbyllur një merkato që nuk ishte parë prej vitesh në Romë, drejtuesit po punojnë edhe për një afrim në mbrojtje. Së fundmi po flitet shumë për Dan-Axel Zagadou, që ka bërë paraqitje mjaft të mira në radhët e Borussia Dortmund. 23-vjeçarit francez i ka skaduar kontrata me klubin gjerman dhe tashmë ëshë lojtar i lirë, prandaj afrimi i tij do të vinte pa shumë kosto.

E vetmja gjë që shqetëson Mourinho-n dhe stafin e tij është gjendja fizike e lojtarit. Prandaj, për këtë arsye po shqyrton edhe alternativa të tjera si Marc Bartra i Betis apo Ayhan i Sassuolo-s, por në të dyja këto raste, Roma ka refuzuar të përmbushë kërkesat financiare të skuadrave në fjalë. E njëjta situatë paraqitet edhe me Tanganga-n e Tottenham, që është i preferuari i Mourinho-s në këtë listë të përforcimit të mbrojtjes. Klubi anglez është i gatshëm të lejojë largimin e mbrojtësit në formë huazimi, por kërkon të përfshijë në marrëveshje detyrimin për blerjen e kartonit të tij, diçka që Roma për momentin nuk e ka luksin ta bëjë. Kryeqytetasit janë duke menduar edhe për largimet në këtë merkato. Eldor Shomurodov do të kalojë me shumë gjasa tek Bologna, që ka fituar duelin me Torinon për shërbimet e sulmuesit. Ndërkohë që pritet vetëm zyrtarimi i huazimit të Villar drejt Sampdorias.