Serie-A, Roma ndryshon qëndrim, i hap rrugë largimit të Nainggolan te Interi

Sport

romans
Ndryshim total te Roma për sa i përket qëndrimit rreth Radja Nainggolan. Nëse deri në mes të sezonit, konsiderohej i padiskutueshëm, tanimë brenda një fundjave raportohet të jetë në largim nga verdhekuqtë. Në fakt e hëna ishte me plot raportime që e konsideronin të mbyllur transferimin e belgut te Interi. Kështu 30-vjecari është pranë një ribashkimi me Luciano Spallettin, ai i cili e ktheu nga një mesfushor të tërhequr në një trekuartist shpërthyes me plot grintë dhe surpriza. Tuttosport, Sportmediaset dhe të gjitha mediat e tjera të fokusuara te sporti e cilësuan të mbyllur këtë diskutim. Nainggolan do të vishet zikaltër për 29 milionë euro. Monchi te Roma ka kërkuar si këmbim edhe shërbimet e një lojtari nga “Primavera” e Interit, mendohet për Zaniolon. Radja te skuadra e Spallettit pritet të firmosë një kontratë katër-vjecare që do ta shpërblejë atë me 4.5 milionë euro në sezon. Kështu pas mos-grumbullimit me Belgjikën, të paktën vera ka se si ta ngushëllojë 30-vjecarin. Ndërkohë te Roma mendohet t’i lihet hapësira e duhur të rinjve Pellegrini dhe Cristante, dy 20-vjecarë italianë të cilët parashikohen të kenë të ardhme edhe në profilin e kombëtares së kaltër. Por ky investim te Nainggolan ndryshon planet edhe te Interi. 29 milionë të shpenzuara për belgun do të thotë se Rafinha është vështirë të qëndrojë, vetëm nëse Barcelona pranon të ripërtërijë formulën e huazimit dhe kësaj radhe të fusë si klauzolë detyrimin e blerjes, kjo pas dy sezonesh.