Serie A, Roma, Mourinho nuk e garanton qëndrimin; mohon të ketë folur me drejtuesit

Sport

E ardhmja e Jose Mourinho-s mund të mos jetë tek Roma. Është vetë tekniku portugez që ka hedhur poshtë zërat që garantojnë qëndrimin e tij tek kryeqytetasit italian, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë fjalëve të administratorit të përgjithshëm të klubit, Berardi, që ditë më parë deklaronte se ishte i sigurt në qëndrimin e ‘Special One’ në krye të stolit. Mourinho foli hapur përpara mediave, duke u shprehur se mes tij dhe administratorit të klubit nuk ka patur asnjë bisedë në lidhje me të ardhmen e tij. Madje tekniku portugez nuk e ka biseduar diçka të tillë as me drejtuesit e tjerë të Romës, duke u përqëndruar vetëm tek puna e tij. Mediat italiane raportonin ditë më parë se një nga kushtet për qëndrimin e Mourinho-s në krye të stolit, ishte edhe kualifikimi i skuadrës në ‘Champions League’ për sezonin e ardhshëm. Vetë trajneri 60-vjeçar kërkoi të largonte këtë presion, duke deklaruar se nuk mendon për të nesërmen, por vetëm për sfidat e radhës të ekipit të tij. Në kontratën aktuale me Romën, Mourinho parashikohet të jetë trajner i verdhekuqve deri në qershorin e 2024-ës. Drejtuesit e kryeqytetasve kërkojnë me ngulm rikthimin në fazën e grupeve të ‘Champions League’-ës, por ky mbetet një mision i vështirë, duke parë se gara për 4 vendet e para në ‘Serie A’ është shumë e fortë. Roma aktualisht mban vendin e tretë të renditjes, me 44 pikë, 3 më pak se sa Interi i vendit të dytë dhe në kuotë të barabartë me Milanin. Ndërsa Lazio e Atalanta ndjekin respektivisht me 42 e 41 pikë.