Cesc Fabregas ka bërë një punë mbresëlënëse nën drejtimin e skuadrës së Como-s, teksa këtë sezon të tij të parë në ‘Serie A’, e mbyllën në vendin e 10, me 49 pikë të grumbulluara. Tekniku spanjoll shihet si timonieri i një projekti shumë ambicioz të ndërmarrë nga drejtuesit e klubit, ku financat nuk kanë munguar. Fabregas ka fituar disa herë edhe çmimin si ‘Trajneri i muajit’ në ‘Serie A’ përgjatë këtij sezoni, si një shpërblim për ecurinë e shkëlqyer të skuadrës së tij. Por këto rezultate kanë bërë që shumë klube të mëdha të mendojn për trajnerin spanjoll. Pas një tentative të shpejtë nga Bayer Leverkusen ditë më parë, mediat italiane flasin se edhe Interi po e sheh si mundësi afrimin e tij, në rast të nja largimi të befasishëm të Simone Inzaghi-t, që ka marrë një mega-ofertë nga arabët e Al-Hilal. Ndërsa së fundmi, ‘në dyert’ e Como-s është shfaqur edhe Roma, që e sheh si pasuesin e duhur të Claudio Ranieri-t. Klubi kryeqytetas është gati të paguajë një klauzolë lirimi për teknikun spanjoll, ndaj së cilit nuk do të mungojë edhe një kontratë që i përshtaten kërkesave të tij. Mirëpo, për momentin, një skenar i tillë duket i vështirë për t’u realizuar. Fabregas është i lumtur me projektin tek Como, drejtuesit e së cilës, për më tepër, nuk kanë ndërmend të heqin dorë prej tij. Mediat italiane konfirmojnë se tek Como kërkojnë të vijojnë me hapat përpara në projektin e tyre, ku nga sezoni i ardhshëm, shpresojnë të jenë gati për të luftuar për një vend në zonat europiane, edhe pse vetë Fabregas deklaronte se objektivat madhorë kërkojnë kohën e tyre. Presidenti i Como-s, Mirwan Suwarso e konsideron Fabregas si njeriun kryesor të projektit të tij dhe duke qenë se financat nuk janë për momentin një problem, nuk sheh asnjë arsye për t’u privuar nga shërbimet e spanjollit.
