Roma vazhdon të shpresojë për një rikthim në ‘Champions League’ në sezonin e ardhshëm, edhe pse për momentin, Juventus-i ruan me një distancë prej 5 pikësh nga verdhekuqtë vendin e katërt. Pjesa e dytë e sezonit për klubin kryeqytetas ka qenë mjaft e mirë, me të besuarit e Jose Mourinho-s që mbeten të pamposhtur në kampionat prej 12 ndeshjesh. Drejtuesit e klubit në anën tjetër kanë filluar që tani të mendojnë për merkaton. Nga ajo që është parë në këtë sezon, sulmi ka ende nevojë për përforcime.
Tammy Abraham është parë të bëjë thuajse i vetëm repartin e avancuar dhe kryeqytetasit kërkojnë të afrojnë dikë që mund të premtojë për të ardhmen, por në të njëjtën kohë të jetë një alternativë e mirë për sulmuesin anglez. Nga ajo që raportohet nëpër media, drejtuesit e Romës po ndjekin me kujdes situatën e 20-vjeçarit të Benfikës, Gonçalo Ramos. I formuar në akademinë e klubit portugez, Ramos ka qenë një element shumë i rëndësishëm në këtë sezon për ekipin e ‘shqiponjave. Edhe pse mes kampionatit dhe ‘Champions League’-ës, Gonçalo Ramos numëron vetëm 8 gola e 2 asiste, ai është njeriu që krijon më shumë raste për gol tek Benfika, duke i ardhur në ndihmë edhe goleadorit të kësaj skuadre, Darëin Nunez. Ky i fundit, është shumë i shtrenjtë për t’u transferuar nga Roma.
Për Nunez, Benfika pretendon më shumë se 60 milionë euro, ndërsa për Ramos, mund të gjendet një akord i kënaqshëm. Aktualisht, kartoni i tij vlerësohet në rreth 15 milionë euro dhe drejtuesit e Romës shpresojnë që për 20-vjeçarin, të mos shfaqin interes edhe shumë klube të tjera, pasi kjo do t’i jepte mundësinë Benfikës të hapte një ankand edhe për sulmuesin portugez.