Dëmtimi i Tammy Abraham ka vënë prej kohësh drejtuesit e Romës në kërkim të një sulmuesi, që duhet të marrë edhe pëlqimin e trajnerin Jose Mourinho. Klubi kryeqytetas ka patur kontakte të vazhdueshme me West Ham, për afrimin e Gianluca Scamacca-s, për të cilin po bën hapa konkretë edhe Interi. Roma i propozoi klubit anglez një huazim të sulmuesit, me të drejtë blerje në fund të sezonit, që do të kthehej në detyrim në rast se ekipi i Mourinho-s do të siguronte pjesëmarrjen në ‘UEFA Champions League’. West Ham e ka hedhur poshtë këtë ofertë dhe e vetmja mënyrë që ata të lejonin kalimin e Scamacca-s tek Roma, do të ishte me një huazim deri në fund të sezonit të ardhshëm, ku do kishte edhe një detyrim blerje të kartonit të tij, pa asnjë kusht. Ndonëse verdhekuqtë nuk u tërhoqën zyrtarisht nga gara për ish-sulmuesin e Sassuolo-s, është zbuluar se drejtuesit e Romës po shqyrtojnë mundësitë e tjera.
Në skenë së fundmi ka dalë edhe emri i Marko Arnautovic. Sulmuesi 34-vjeçar i Bologna-s do të vinte me një kosto shumë më të ulët, ndonëse nuk premton asgjë në planin afatgjatë. Një marrëveshje mes palëve për kartonin e tij mund të gjendej tek shifra e 6 apo 7 milionë eurove, duke llogaritur këtu edhe bonuset dhe bisedimet po ecin me ritme intensive. Vetë austriaku do të ishte i lumtur ta bënte këtë lëvizje, pasi do të kishte mundësinë të luante për një klub më të madh, e për më tepër, edhe në kompeticionet europiane. Arnautovic ka një kontratë me Bologna-n deri në vitin 2025, teksa u bë pjesë e klubit nga Emilia-Romagna në verën e 2021-shit, kur u transferua për 6 milionë euro nga skuadra e kampionatit kinez, Shanghai Port. Gjatë sezonit të shkuar në ‘Serie A’, Arnautovic luajti 21 ndeshje, duke e gjetur rrugën e rrjetës në 10 raste.