Serie A, Roma gabon ndaj Salernitanës; tani ‘UCL’ mund të arrihet nëpërmjet ‘Europa League’

Sport

Roma ndalet sërish. Skuadra e Jose Mourinho-s duket se ka ‘harruar’ të fitojë, pasi nuk shkoi më larg se një barazim 2-2 ndaj Salernitanës në ‘Olimpico’. Për verdhekuqtë, kjo ishte ndeshja e gjashtë radhazi pa fitore në ‘Serie A’, që kanë komplikuar mundësinë e kualifikimin në ‘Champions League’ me anë të vendit të katërt në renditje. Roma u godit që në minutën e 12 nga Antonio Candreva, i cili bëhët i treti lojtar në ‘Serie A’, pas Ricardo Kaka e Matias Vecino që shënon dy herë në të njëjtën sezon në ‘Olimpico’, si ndaj Romës, edhe ndaj Lazio-s. Lojtarët e Mourinho-s do të gjenin një përgjigje vetëm në fundin e pjesës së parë, mirëpo goli i Ibanez do të anulohej për një prekje me dorë të Belotti-t, gjatë atij episodi. Me fillimin e pjesës së dytë, El Shaaraëy do të barazonte shifrat në 1-1, por kundërpërgjigja e Salernitanës do të vinte pas vetëm 7 minutash, me Bolaye Dia. Nemanja Matic do të barazonte sërish për Romën në 10 minutat e fundit të kohës së rregullt, por për Romën, nuk kishte më shumë se 1 pikë për këtë përballje. Tani skuadra kryeqytetase ka një distancë prej 4 pikësh me vendin e katërt, që mbahet nga Milani, ndërkohë mes tyre qëndron Atalanta me 61 pikë, 1 më shumë se Roma. Duke parë kalendarin, duket e vështirë që lojtarët e Jose Mourinho-s t’ja dalin të sigurojnë një vend mes më të mirëve të Europës nëpërmjet kampionatit, kështu që vëmendja e tyre do të zhvendoset sërish tek finalja e ‘Europa League’-ës ndaj Sevilla-s.