Serie A/ Roma fiton ndaj Juventusit

Sport

Në javën e 25-të të Serie A, Roma ka arritur një fitore shumë të rëndësishme në garën për një vend në fazën e grupeve të UEFA Champions League. Në “Olimpico”, verdhekuqtë triumfuan me rezultatin 1-0, me golin që u shënua në minutën e 53 nga mbrojtësi Gianluca Manccini, i cili për karakteristikat e tij, shënoi një gol të pazakontë nga distanca.

Juventusi nuk pësonte një gol nga jashtë zonës, për herë të parë që nga 1 Maji i 2022-shit. Po ashtu, nuk ndodhte që nga 12 Maji i 2019-tës që një ndeshje mes Romës dhe Juventusit të mbyllej në barazim pa gola në pjesën e parë.

Më tej, Roma mbetet e pamposhtur në 2 ndeshje ndaj Juventusit brenda një sezoni, për herë të parë që nga edicioni 2003/04, atëherë kur skuadra kryeqytetase udhëhiqej nga Fabio Capello.

Me këtë fitore, Roma ngjitet në kuotën e 47 pikëve në Serie A dhe si pasojë klasifikohet në vendin e 4 të tabelës. Me 13 ndeshje deri në fund të kampionatit, verdhekuqtë e drejtuar nga Jose Mourinho kanë të gjithë të drejtën të besojnë se një vend për në Champions League është mëse i mundur të arrihet.

Nga ana tjetër, kjo ishte humbja e parë e Juventusit pas 4 fitoreve të njëpasnjëshme. Bardhezinjtë renditen të 8-tët në tabelë, në kuotën e 35 pikëve. Megjithaëse diferenca me vendin e 4 ka shkuar në 12 pikë, ekipi i drejtuar nga Massimiliano Allegri nuk i ka humbur ende shpresat për një vend fazën e grupeve të UEFA Champions League.