Edhe pse ka ardhur gjatë kësaj vere te Roma në formë huazimi, Evan Ferguson mund të kthehet në investimin më të rëndësishëm të merkatos së kryeqytetasve. Sulmuesi irlandez është pritur me shumë entuziasëm nga tifozeria verdhekuqe, që shpreson të shohë tek 20-vjeçari, atë që nuk e shijuan nga Dovbyk në sezonin e kaluar.
Ferguson ka folur përpara kamerave si një lojtar i Romës, duke u shfaqur entuziast për aventurën e tij të re. Shtatlarti u shpreh se është i gatshëm të bëjë çdo gjë në fushën e blertë për t’i shërbyer skuadrës së tij, edhe nëse do të duhet të luante në një pozicion jo natyral për të. I pyetur rreth pritshmërive ndaj tij, Ferguson nuk pranoi të bënte premtime, por synimi është të shënojë në çdo ndeshje. Thyerja e rekordeve të golave për të nuk janë një fiksim, por nëse kjo gjë do e ndihmonte skuadrën, do të bënte gjithçka për ta realizuar. Rikthimi në ‘Champions League’ mbetet objektivi më i rëndësishëm i vendosur nga drejtuesit e klubit dhe siç vetë sulmuesi irlandez deklaroi, të gjithë lojtarët tek Roma janë po në të njëjtën linjë. Ndërsa një moment, të cilin Ferguson mezi e pret, është derbi ndaj Lazio-s në ‘Olimpico’. Siç ai e përshkruajti, ndeshje të tilla të japin emocion të veçantë dhe kur luhen para një publiku si stadiumi mitik i kryeqytetit, gjërat shkojnë në një tjetër nivel.
Evan Ferguson erdhi nga Brighton në formë huazimi për 3 milionë euro, me Romën që ka të drejtën e blerjes së kartonit të sulmuesit për 37 milionë euro. Sezonin e shkuar, lojtari nuk gjeti hapësirat e duhura në radhët e Brighton, prandaj Roma përfitoi për ta transferuar në ‘Serie A’.