As Scamacca e as Arnautovic… Sulmuesi i ri i Romës mesa duket do të jetë Marcos Leonardo i Santos. 20-vjeçari brazilian konsiderohet si një ndër më të talentuarit në rolin e tij përtej Atlantikut dhe nga ajo që raportojnë mediat italiane, një akord mes klubeve aktualisht është arritur. Roma thuhet se do të paguajë 10 milionë euro për kartonin e Leonardo-s, plus 5 milionë të tjera në formë bonusesh, duke mposhtur në këtë mënyrë konkurencën e fortë të skuadrave si Aston Villa apo Nottingham Forest. Leonardo është një profil që ka marrë edhe pëlqimin e trajnerit të verdhekuqve, Jose Mourinho, teksa përfaqësues të klubit e kanë ndjekur sulmuesin edhe në paraqitjet pozitive të bëra në ‘Kupën e Botës’ nën moshën 20-vjeçare. Ai madje ishte edhe autor i dy golave në takimin kundër Italisë, çfarë bëri që të merrte akoma më shumë vëmendje mbi vete. Gjithësesi, duke parë moshën e re të lojtarit, nuk përjashtohet mundësia që Roma të provojë të afrojë edhe një sulmues tjetër me eksperiencë, me Arnautovic që shihet si një alternativë e mirë, por që Bologna për momentin nuk po heq dorë nga pretendimet e veta. Ndërsa sa i përket Marcos Leonardo-s, lojtari ende nuk ka gjetur akordin zyrtar me Romën sa i përket pagës dhe kohëzgjatjes së marrëveshjes, por duke qenë se përfaqësuesja e tij, Rafaela Pimenta gëzon raporte të mira me drejtuesit e klubit italian, atëherë kjo gjë nuk shihet më si një problem.
20-vjeçari Leonardo është 1 metër e 76 centimetra i gjatë dhe është formuar në akademinë e skuadrës së Santos. Gjatë vitit të fundit, kartoni i tij ka pësuar një rritje të ndjeshme, që vjen për shkak të paraqitjeve mjaft të mira të sulmuesit. Në Brazil kampionati është aktualisht në mesin e sezonit, me Leonardo-n që ka gjetur rrugën e rrjetës në 6 raste dhe njëkohësisht ka shërbyer edhe 2 asiste